E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, 75 defekte në muaj në sistemin e ujësjellësit

GJIROKASTËR- Në rreth 750 llogaritet numri i defekteve që vetëm gjatë 10 muajve të parë të këtij viti janë shkaktuar në sistemin shpërndarës të ujit të pijshëm në Gjirokastër. Gjithçka i “dedikohet” amortizimit të tejskajshëm të rrjetit të brendshëm, i cili është ndërtuar 68 vjet më parë. Burime zyrtare nga ndërmarrja e ujësjellës-kanalizimeve në Gjirokastër bëjnë të ditur se problem mjaft të madh përbëjnë veçanërisht tubacionet shpërndarëse të lagjeve të sipërme të qytetit, si: “Dunavat”, “Manalat”, “11 Janari”, “Varosh”, të cilat janë prej gize. Ndërkaq, një tjetër çështje mjaft problematike vazhdon të mbetet edhe rrjeti i kanalizimeve të ujërave të zeza, pasi në një pjesë e mirë e lagjeve të ndërtuara gjatë viteve të fundit ato nuk ekzistojnë, si dhe mungon pranë ndërmarrjes një hartë e këtyre kanalizimeve. “Probleme hasen në të gjithë qytetin, ku ka bllokime për shkak të tubacioneve me diametër të vogël, si dhe për faktin se në pjesët e sipërme, si dhe në zonat e reja urbane “Gerhot”, “Kodër Shtuf” nuk ka rrjet të kanalizimeve të ujërave të zeza, por gropa septike. Ndërtimi i rrugëve në qytet është shoqëruar edhe me rrjet të ri të kanalizimeve të ujërave të zeza, por ndërmarrja nuk disponon dokumentacion tekniko-ekonomik për këto investime”, u shpreh drejtori i ndërmarrjes Dashmir Qeli. Sipas tij, “ashtu si edhe rrjeti i ujësjellësit, edhe ai i kanalizimeve është në gjendje mjaft kritike dhe kërkohet një investim shumë i madh financiar”. Prej viteve të kaluara kjo ndërmarrje kishte një borxh të prapambetur prej 11 milionë lekësh të rinj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›