Pushon çështjen, sulmohet gjyqtarja
Banorë të ish-divizionit pritën daljen e gjyqtares nga institucioni pasi ajo dha një vendim kundër tyre në gjyq
Shkodër – Gjyqtarja Anita Mici vendos të pushojë çështjen e banorëve të ish-divizionit, por vendos edhe të njoftojë policinë në mënyrë që ta shoqërojnë deri në shtëpi. Në të njëjtën kohë, para Gjykatës së Shkallës së Parë të Shkodrës qëndronin banorët, shtëpitë e të cilëve ndodhen në zonën e ish-divizionit ushtarak të këtij qyteti. Dalja e gjyqtares nga institucioni bëri që ata të reagonin duke u grumbulluar para automjetit të Micit, duke tentuar të sulmojnë gjyqtaren. Megjithatë, uniformat blu ndërhynë duke larguar banorët, ndërsa Mici u mor nën mbrojtje dhe u shoqërua me mjetet e policisë.
Gjyqi
Trupi gjykues i Gjykatës së Shkallës së Parë të Shkodrës vendosi dje të pushonte çështjen civile në ngarkim të KRT-së së këtij qyteti. Padia ishte ngritur nga banorët që jetojnë tek ish-divizioni. Marrja evendimit nga ana e togave të zeza u argumentua me mungesën e dokumentacionit të duhur nga pala paditëse, fakt që solli një reagim të fortë kundërshtues tek pala paditëse. Banorët kishin kërkuar në padinë e tyre shfuqizimin e vendimit të KRT-së për dhënien e një leje ndërtimi për pallat në zonën ku ata kanë ndërtuar shtëpitë e tyre. Por, me gjithë protestat e tyre se gjithçka e vendosur nga KRT-ja është e paligjshme dhe me kërkesën se ata kanë të drejtën për legalizimin e pronave si gjithë të tjerët, gjykata vendosi pushimin e çështjes me argumentimin e mungesës së dokumentacionit të duhur nga paditësit.
Përballja
Shumë prej banorëve të ish-divizionit ishin të pranishëm gjatë dhënies së vendimit nga ana e togave të zeza. Vendimi për pushimin e çështjes solli një reagim jo të mirë prej tyre. Ata dolën jashtë gjykatës dhe u grumbulluan para dyerve të saj. Ndërsa gjyqtarja doli për të hipur në automjetin privat, ata tentuan ta sulmojnë. Por, pas dhënies së vendimit, gjyqtarja kishte vendosur edhe të lajmëronte policinë. Kështu, pas daljes së saj nga gjykata, mllefi i banorëve për Anita Micin u përball me uniformat blu të mbërritura në Gjykatën e Shkodrës. E marrë në mbrojtje nga policia, gjyqtarja u largua duke lënë pas banorët e ish-divizionit.
Reagimet
Sipas banorëve, gjyqtarja dha një vendim të padrejtë dhe i paragjykoi ata si persona të ardhur. Dedë Zhivani, banor tek ish-divizioni tha: “Ne si palë paditëse paraqitëm dokumente zyrtare të vitit 1948 lidhur me pronësinë e një pjese toke ku ndodhen shtëpitë tona, tokë kjo që i është kthyer një familjeje dhe KRT-ja ka dhënë leje ndërtimi për pallat”. Zhivani theksoi se në gjykatë u paraqitën dokumente që vërtetonin se kjo tokë i ishte shitur nga pronari xhandarmërisë së atëhershme dhe në vitet e mëvonshme mbeti pronë e shtetit. “Por, me gjithë dokumentet e paraqitura, gjyqtarja vendosi pushimin e çështjes, ndërsa ne jemi të vendosur të mbrojmë të drejtat tona dhe Shkodra nuk do të ketë qetësi derisa të zgjidhet problemi ynë me shtetin”,- deklaroi Zhivani. Më pas banorët u shpërndanë duke u larguar nga rruga përpara gjykatës. Javën e kaluar ata protestuan përpara bashkisë e prefekturës duke denoncuar atë që e quajtën “mafia e tokave”.