Durrës, zona e ish-kënetës, 250 vetë me një rubinet
UJËSJELLËSI/ Banorët ankohen pasi kanë probleme të mëdha me furnizimin me ujë të pijshëm, i cili mungon
DURRËS - Banorët e ish-kënetës po përjetojnë çaste tepër të rënda per shkak të mosfurnizimit të rregullt me ujë të pijshëm. Ndërrimi i orarit të furnizimit sipas orës diellore të stinës dhe lënia e së njëjtës orë me periudhen e verës ka bërë që ky furnizim të vijë natën vonë pas orës 19:00. Vetëm në një pikë shpërndarje të ujit të pijshëm ishin mbi 250 vetë të të gjitha moshave duke filluar që nga pleqtë e deri tek fëmijët e vegjël që kishin zënë radhë me bidonë kauçuku në duar. Mes tyre dallohej dhe një invalid me karrocë tësëmuri që kishte ardhur për të ndihmuar të afërmit në mbushjen e disa bidonave me ujë të pijshëm. Rodon Qerreti, një prej banorëve të kësaj zone, thotë se “edhe nga sa shihet gjendja e ujit të pijshëm është tepër e rëndë. Si kjo pikë ka dhe 4 pika të tjera shpërndarjeje, por në orare të ndryshme. Po të mbledhim shumën totale të banorëve që kanë zënë radhën tek motopompat e ujit, sot janë rreth 1500 vetë. Nesër uji nuk furnizohet, sepse sistemi është një ditë po dhe një ditë jo”. Sipas banorëve, ata nuk arrijnë të sigurojnë ujin për minimumin jetik për gjëra të zakonshme dhe merret lehtë me mend se sa problem është higjiena. Në këto kushte, edhe epidemitë, pavarësisht se është vjeshtë, mund të trokasin papritur. Qerreti thotë se banorët kanë si kërkesë të domosdoshme përmirësimin e furnizimit me ujë. Së pari, ata duan që furnizimi me ujë të kryhet gjatë ditës e jo gjatë natës. Më pas, problem përbën edhe fakti se furnizimi i ujit zgjat shumë pak. Banorët thonë se nëse nuk do të ketë përmirësim të shpejtë, do të fillojnë protesta të vazhdueshme. “Një ndër variantet e rritjes së shkallës së këtyre protestave do të jetë edhe bllokimi i autostradës Tiranë – Durrës”,- thotë Qerreti. E gjithë këneta ka rreth 45 000 banorë dhe, sipas tyre, me gjithë premtimet e vazhdueshme, nuk ka pasur përmirësim.