John Demjanjuk - Një ndihmës në shërbim të SS-ve
Otto Langels/ Vilma Filaj-Ballvora
Në Munih hapet një nga proceset e fundit për krimet e nacional-socializmit, procesi kundër ukrainasit 89-vjeçar John Demjanjuk.
I dyshuari për krime në kohën e nacional-socializmit, John Demjanjuk ndodhet në arrest hetimor në burgun e Munihut në Shtadelahjm. 89-vejçari u ekstradua nga SHBA-të pas një ecejake të gjatë juridike. Ndërkohë që avokatët mbrojtës të Demjanjukut kanë paraqitur në mënyrë të përsëritur ankesën duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të procesit, Gjykata e Lartë e Landit në Munih e hodhi poshtë ankesën për shfuqizimin e urdhër-arrestit. Prokuroria e akuzon të dyshuarin, roje në kamp përqendrimi, për ndihmë në vrasjen e 29 000 hebrenjve në kampin e shfarosjes Sobibor. I lindur në Ukrainë ai bënte pjesë në një grup të veçantë në shërbim të SS-ve, grupi i të ashtuquajturve Travnikis. Travnikis ishin ndihmësit e SS-ve në gjenocidin ndaj hebrenjve. Ata ishin vetë viktima të regjimit të nacional-socialistëve. Edhe John Demjanjuk, roja i dyshuar i kampit të përqendrimit, bënte pjesë në këtë grup.
Në zhargonin e nacional-socialistëve ata ishin "ndihmësvullnetarë nga popujt e huaj". Këtu bënin pjesë estonezët, letonezët, polakët, rusët e në radhë të parë ukrainasit, që ishin vënë në shërbim të regjimit të nacional-socialistëve. Rreth 5000 burra rekrutuan forcat SS në kampet e robërve të luftës, fillimisht për t'i angazhuar ata me detyrën e rojës. Ushtarët e Ushtrisë së Kuqe, të cilët mbijetonin në kushte katastrofike në kampet e frontit të Lindjes, shihnin te ky rekrutim një mundësi për t'i shpëtuar vdekjes. Historiania nga Pocdami, Angelika Benz, ka studiuar për trupat ukrainase të ndihmës: "Nga 5,5 milionë robër sovjetikë lufte, 3,7 milionë kanë humbur jetën nëpër burgje. Qëllimi i deklaruar i gjermanëve ishte t'i linin të vdisnin nga uria dhe t'i asgjësonin robërit sovjetikë të luftës. Pra gjëja e parë që i joshte robërit ishte që në radhë të parë të mbijetonin."
Të rinjtë e Ushtrisë së Kuqe zakonisht ishin 19 apo 20-vjeçarë. Aata i dërgonin fillimisht në kampin Travniki, në afërsi të Lublinit, ku stërviteshin. Travnikët mësonin gjuhën gjermane të komandës, mënyrën e përdorimit të armëve gjermane dhe këngë gjermane. Atyre u jepej një librezë shërbimi, uniforma të përdorura dhe karabina me pak municion. Më vonë, pasi ata mbërrinin në vendin e shërbimit, e kuptonin që nuk kishin thjesht detyrën e zakonshme të rojës.
Pas vitit 1945 u dënuan nga gjyqet sovjetike dhe tribunalët ushtarakë deri në 1000 Travniki, disa prej tyre me vdekje. Në Bashkimin Sovjetik çdo anëtar i Ushtrisë së Kuqe që kishte rënë rob te gjermanët duhej të llogariste se e priste dënimi. Në Perëndim janë dënuar gjithashtu disa Travinski. Erich Lachmann, drejtues i ekipit të rojeve të Travinkit, i akuzuar për ndihmë në vrasjet në bashkëveprim të së paku 150 000 personave në Sobibor, në procesin në vitin 1966 u lirua për shkak të kryerjes së aktit penal nisur nga rreziku që i kanosej atij. Kjo do të thotë se në rast se ai refuzonte të ekzekutonte vendimin, atë e kërcënonin me vdekje. Edhe procesi kundër Karl Streibel, komandantit gjerman, si dhe ndaj pesë drejtuesve kompanish të kampit të stërvitjes Travniki përfundoi në vitin 1976 me vendimin skandaloz për lirimin e të akuzuarve.
Angelika Benz: "Në shembullin e Travnikit mund të konstatosh fare qartë perversitetin e sistemit gjerman. Ka pasur hebrenj që shërbenin në kampet e shfarosjes, pas tyre shfrytëzoheshin edhe robërit sovjetikë të luftës e pas tyre qëndrojnë edhe gjermanët, të cilët në fund mund të ngrenë duart e mund të thonë: ‘Shikoni ne nuk i kemi duart e lyera me gjak’”.
1 Dhjetor 2009