E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, BE-ja nuk ka dhurata për shqiptarët dhe boshnjakët për Krishtlindje



BRUKSEL - Heqja e vizave është dhurata më e bukur për Krishtlindje që Bashkimi Europian u bën maqedonasve, serbëve dhe malazezëve për Krishtlindje, ndërsa shqiptarët dhe boshnjakët do të duhet të presin. Edhe pse serbët kanë ende probleme me të kërkuarit e luftës, edhe pse maqedonasit ende kanë një demokraci të brishtë, edhe pse Mali i Zi është një shtet me një histori vetëm 3-vjeçare, ata pas datës 19 dhjetor mund t’i festojnë Krishtlindjet në çdo cep të zonës “Shengen”. Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian dha dje viston për tri shtetet e rajonit, ndërsa për Shqipërinë dhe Bosnjën u thanë fjalët e mira dhe u përmenden kushtet. Ministri suedez për Politikat e Migracionit dhe Azilimit, Billstrome, uroi dje për festat e fundvitit qytetarët e tri vendeve përfituese për këtë lajm dhe në anën tjetër theksoi se “ne presim ditën kur do të hiqen vizat me Shqipërinë dhe Bosnjën”.
Vendimi
Këshilli i Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të BE-së dha dje viston përfundimtare për heqjen e vizave për tri vende të Ballkanit Perëndimor dhe njoftoi që një proces i tillë do të ndodhë edhe me dy vende të tjera të rajonit: Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Burime zyrtare bëjnë të ditur që Këshilli vendosi të përjashtojë nga procedura e vizave për një periudhë 90-ditore deri në 6 muaj për të gjithë qytetarët nga ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM), Mali i Zi dhe Serbia, kur të hyjnë në BE (zonën “Shengen”). "Qytetarët e këtyre vendeve që dëshirojnë për të festuar Krishtlindjet me miqtë e tyre në zonën ‘Shengen’ mund ta bëjnë këtë pa pasur nevojë për viza”, - tha ditën e hënë ministri suedez, Billtrom. Sipas tij, “vendimi është me rëndësi të madhe për qytetarët në fjalë dhe është një hap i madh përpara në procesin e integrimit të këtyre vendeve”, - thuhet në deklaratën zyrtare. Billstrom theksoi se heqja e vizave u mundëson qytetarëve nga Ballkani Perëndimor dhe BE-së për të bashkëpunuar më ngushtë. Një gjë e tillë do të bëhet e mundur pas datës 19 dhjetor 2009 dhe përfshin vizitorë që posedojnë një pasaportë biometrike, të cilët mund të qëndrojnë deri në 6 muaj në çdo vend të zonës së Shengenit.
Përjashtimi
“Unë pres ditën kur ne të mund të vendosim për heqjen e vizave edhe për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën", – tha dje pas takimit ministri për Politikat e Migracion dhe Azilin, Tobias Billstrom. Këtyre dy vendeve iu përcoll mesazhi që duhet të realizojnë kushtet e vëna në Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe më pas do të hapen kufijtë duke ndjekur të njëjtën procedurë si me tri vendet e tjera të Ballkanit. Kushtet janë siguria e dokumenteve të identitetit, sistem i zhvilluar azilimi, mbrojtje më të madhe të minoriteteve, legjislacion të fortë dhe bashkëpunim të përparuar kufitar për shmangien e krimit dhe korrupsionit. “Shqipëria ka ende për të plotësuar kushtet e përcaktuara në Udhërrëfyesin e vizave”, - thuhet në deklaratë. Për këtë, Presidenca suedeze shpreson se Tirana dhe Sarajeva zyrtare do të fokusohen në reformat e mbetura në mënyrë që të merret vendimi për heqjen e vizave për qytetarët e këtyre vendeve. Në deklaratën përfundimtare të takimit të djeshëm të ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë inkurajohen dy vendet e mbetura jashtë skeme për të realizuar kushtet përfundimtare që nevojiten për heqjen e vizave.
Parlamenti Europian dhe Këshilli i Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të BE-së i kanë kërkuar Komisionit që të propozojë një modifikim të Direktivës së KE-së, me Nr. 539/2001 për rastet e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës në një periudhë sa më të shkurtër. Në ceremoninë e zhvilluar dje në Bruksel ishin të ftuar edhe ministrat e Brendshëm të Shqipërisë dhe Bosnjës.

Box 1
“Ballkangoeseurope”: Paradokset e BE-së me vizat

Grupi “Ballkangoeseurope” thotë se Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina janë duke mbetur pas procesit të integrimit europian përmes aplikimit të standardeve të tilla, ndonëse këto vende janë më parë në rrugën e anëtarësimit në BE, sesa Serbia apo Mali i Zi. Shqipëria ka firmosur Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në dhe pas ratifikimit nga 27 shtetet anëtare, ka hyrë në fuqi më 1 prill 2009. Po ashtu, në fundin e muajit prill paraqiti kërkesën te Presidenca çeke e BE-së, për të marrë statusin e vendit anëtar. Ndërsa Bosnja e ka firmosur MSA-në më 16 qershor 2008 dhe deri tani ajo është ratifikuar nga parlamentet e 13 shteteve anëtare të BE-së. Marrëveshja “Interim” ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2008, e cila kupton që gradualisht është krijuar tregu i përbashkët me Komunitetin Europian. Mali i Zi e ka firmosur MSA-në në tetor të vitit 2007 dhe e dorëzoi aplikimin për anëtarësim në dhjetor të vitit 2008, ndonëse nuk ka hyrë ende në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit mes Malit të Zi dhe BE-së. Marrëveshjet e Stabilizim-Asocimit me Maqedoninë dhe Kroacinë kanë hyrë në fuqi dhe të dyja janë shtete kandidate për t’u anëtarësuar në BE. Serbia nuk e ka firmosur ende MSA-në dhe nuk ka plotësuar të gjitha kushtet e vëna nga Këshilli i BE-së. Ligjërisht, Serbia është vendi i fundit që po merret me përgatitjet për procesin e Stabilizim-Asocimit.
Një panoramë e tillë në rrugën e gjatë të BE-së i ka bërë firmëtarët e peticionit të lëshojnë akuza për standarde të dyfishta, duke e konsideruar procesin e regjimit të vizave më shumë një proces politik, sesa teknik.

Box2
Rasti i Maqedonisë, përfitimet nga heqja e vizave në zonën “Shengen”

Nga 19 dhjetori shtetasit e Maqedonisë, bashkë me ata të Malit të zi dhe Serbisë, do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës “Shengen”. Vendimi i marrë dje nga ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë u prit me entuziazëm në Maqedoni. Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, tha se kjo ishte një ditë historike: “Sot u realizua një nga prioritetet tona strategjike, që kishte mbështetje të madhe nga qytetarët, bashkësitë etnike, subjektet politike dhe shoqëria civile”, - tha ministrja Jankullovska.
Që një person të udhëtojë në shtetet e zonës “Shengen” pa vizë, fillimisht do të duhet të ketë një pasaportë biometrike. Nëse nuk ka, atëherë do të ndjekë procedurat për nxjerrjen e vizave në ambasada. Por, veç pasaportës, duhet të dëshmojë se është në gjendje që të mbështesë financiarisht udhëtimin e tij, kjo qoftë me para në dorë, apo kartat e kreditit.
Siç u njoftua, autoritetet kufitare nuk kanë të përcaktuar asnjë shumë parash si normë, por kjo do të varet nga kohëzgjatja e udhëtimit. Udhëtari do të duhet gjithashtu të tregojë destinacionin e tij dhe nëse udhëton për turizëm, mund t'i kërkohen detaje si rezervimi i hotelit, nëse udhëtimet bëhen te familjarë apo miq, atëherë do të duhet të dinë adresën apo dhe kontaktet e mikpritësit. Dhe për çdo udhëtim do të duhet me vete të kihet siguracion udhëtimesh. Por, ka mundësi që një personi mos t'i lejohet të hyjë në zonën “Shengen”. Kjo mund të ndodhë nëse një person konsiderohet se mund të sjellë rrezik për sigurinë e vendeve që janë përfshirë në zonën “Shengen”, si dhe nëse është lëshuar më herët ndonjë alarm i çfarëdo natyre për refuzim hyrjeje në zonën e Shengenit. Sipas rregullave të asaj që quhet regjim i udhëtimit pa viza, autoritetet kufitare kanë të drejtë të refuzojnë hyrjen në zonën “Shengen” nëse nuk përmbushen kriteret e parapara. Duhet theksuar se një person nuk lejohet që të qëndrojë më shumë se 90 ditë brenda gjashtë muajsh në zonën “Shengen”. Nëse edhe ky rregull shkelet, atëherë mund të merren masa ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuar në shkeljen e ligjeve, duke përfshirë edhe shtetas të vendeve europiane. Zyrtarët europianë theksojnë se me këtë regjim vizash nuk parashikohen qëndrime afatgjata, shpërngulje apo punësime.

Zvicra publikon procedurat e aplikimit për viza, rregullat si në Shengen

TIRANË – Autoritetet zvicerane, përmes Ambasadës së tyre në Shqipëri, kanë publikuar mundësitë dhe kushtet që aplikohen nga ky shtet për pajisje me viza për vizita të shkurtra në zonën “Shengen” (viza Shengen), pak muaj pasi një referendum në Zvicër sanksionoi futjen e këtij vendi në zonën “Shengen”. Katarina Bone, sekretare e Parë e Ambasadës së Zvicrës në Tiranë, ofroi dje për mediat një informacion të detajuar për aplikantët. Vizat afatshkurtra jepen për një periudhë maksimale prej 90 ditësh brenda 6 muajve, duke filluar nga data e hyrjes së parë. Sipas znj. Bone, disponimi i një vize “Shengen” nuk jep të drejtën e hyrjes; kushtet e hyrjes verifikohen edhe në kufijtë e jashtëm.
Kërkesa për vizë duhet t’i drejtohet misionit diplomatik të shtetit që është destinacioni juaj kryesor i udhëtimit (ose misionit diplomatik të shtetit që përfaqëson atë shtet, sipas rastit). Nëse destinacioni kryesor nuk mund të përcaktohet, kërkesa duhet t’i paraqitet misionit diplomatik të shtetit të parë Shengen ku aplikanti futet.
Nga Zvicra, tarifa për vizë për qytetarët e Shqipërisë është 60 euro, ndërsa për vendet e tjera të Shengenit është 35 euro. Kjo praktikë përjashton kategoritë e përfshira në Marrëveshjen e Liberalizimit të Vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, e cila ka hyrë në fuqi më 1 janar të vitit 2008. Pjesa dërrmuese e kushteve që u kërkohen aplikantëve, sipas llojit të vizës, janë të ngjashme me ato që përdorin vendet anëtare të Shengenit.

1 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›