Eksploziv poliklinikës dy javë para përurimit
Lezhë- Është shkatërruar totalisht poliklinika shëndetësore e sapo ndërtuar në fshatin Koterr të komunës Dajç. Një sasi eksplozivi i është vendosur mbrëmë në mesnatë kësaj godine duke e prishur atë, vetëm dy janë para se të përurohej.
Autorët dhe shkaqet mbeten enigmë deri tani, pasi policia nuk ka dhënë asnjë version për ngjarjen përpos togefjaleshit “po punojnë për zbardhjen”.
Ndërkohë nga kryetari i komunës Dajç mësojnë se qendra e re shëndetësore u ndërtua me një fond prej 1.7 milion lekësh të Ministrisë së Shëndetësisë dhe pas dy javësh do t’i pritej shiriti i inagurimit. ”Se kush nuk ka dashur që ne të kemi shërbim mjekësor në fshat nuk e di”, thotë ai. Ndërsa ka hedhur poshtë faktin se mund ti jetë vënë dinamiti për konflikte pronësie. “Për tokën ku është ndërtuar ky objekt nuk ka pasur asnjë debat”, shtoi ai.
Ambulanca e fshatit Koterr ngrihej për herë të parë për te ofruar ndihmën mjekësore për banorët e kësaj zone. Ministria e Shëndetësisë pas inagurimit të godinës së re do ta pajiste atë dhe do të emëronte stafin e ri mjekësor. Por mesa duket kjo nuk do të ndodhë. Muret e godinës janë çarë, xhamat janë thyer dhe plot dëmtime të tjera ndodhën, teksa ndërtesa shpërtheu nga eksplozivi i fuqishëm.