E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhen përgjimet e Paro Laçit

Zbardhen përgjimet e Prokurorisë që sollën arrestimin e biznesmenit Paro Laçi, i akuzuar për mashtrim dhe korrupsion.Dosja hetimore në ngarkim të aksionerit të klubit sportiv Partizani dhe presidentit të Klubit të futbollit, Rubiku, përmban përgjime telefonike dhe ambientale të tij. Sipas Prokurorisë, Laçi i kishte premtuar një biznesmeni se do të ndërhynte tek zyrtarë të lartë të Ministrisë së Ekonomisë për ti siguruar atij një leje minerare në minierën e Bulqizës. Po sipas Prokurorisë, për sigurimin e saj, Laçi ka kërkuar grumbullimin e një shume prej 75 mijë eurosh. Nga shifra e kërkuar, Laçit i janë dorëzuar 40 mijë, të cilat iu sekuestruan nga policia në momentin e arrestimit. Ndërkohë, Gjykata e Tiranës nisi dje rivlerësimin e masave të sigurisë për të arrestuarit në të njëjtin operacion policor që vuri në pranga Paro Laçin. Ditën e djeshme, gjykata rivlerësoi masat e sigurisë arrest me burg, dhënë nga Gjykata e Durrësit ndaj Agron Laçit dhe Edmond Temalit. Pas shqyrtimit, gjyqtari Agron Zhukri vendosi lënien e pandryshuar të masës arrest me burg ndaj tyre. Ata akuzohen nga prokuroria për veprën penale ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Dosja në ngarkim të Paro Laçit dhe tetë të bashkëpandehurve të tij u transferua pak ditë më parë nga Prokuroria e Durrësit, në organin e akuzës së kryeqytetit. Transferimi u bë me kërkesë të Prokurorisë së Durrësit, pasi nga hetimet ka rezultuar se episodet dhe ngjarjet për të cilat akuzohen të pandehurit kanë ndodhur në kryeqytet. Ditën e sotme Gjykata do të vijojë me rivlerësimin e masave të sigurisë për të pandehurit e tjerë të dosjes, përfshirë të dyshuarin Paro Laçi. Më poshtë, botohen pjesë nga dosja hetimore në ngarkim të Laçit.
DOSJA
Nga hetimi i kryer dhe pas administrimit të transkripteve të bisedave telefonike e raporteve të shërbimit në ambiente publike, ka rezultuar se shtetasi Paro Laçi, nëpërmjet shtetasit Radvist Dima, ka njohur shtetasin Altin Xhura. Të dyve u ka propozuar që të hapnin një biznes në fushën e kromit në Bulqizë, pasi të kishin gjetur një subjekt me dokumentacion të rregullt në Bulqizë. Gjatë procedurave të përgatitjes së dokumentacionit ligjor, kanë takuar një shtetas me emrin M. Sinani, i cili dispononte dokumentacion të rregullt ligjor në fushën e minierave. Ky i fundit ka rënë dakord që të bashkëpunonte duke hyrë aksioner në masën 25 %. Pas kësaj marrëveshjeje, shtetasi Paro Laçi u ka kërkuar Radvistit dhe Altinit që të grumbullonin një shumë rreth 75 000 mijë eurosh për nxjerrjen e lejes, pasi duheshin për të paguar në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Me datë 18.03.2011 rreth orës 11:00, shtetesi Altin Xhura, pasi ka siguruar shumën prej 31.000 mijë eurosh, ka ardhur dhe shtetesi Endri Dima, i dërguar nga Radvist Dima, për të marrë këtë shumë dhe së bashku me një shume prej 9000 eurosh të siguruara nga ai, do të ia jepnin shtetasit Paro Laçi, i cili kishte premtuar se ishte në gjendje të ndikonte tek ministri dhe zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për marrjen e lejes së shfrytëzimit minerar. Pasi kanë grumbulluar shumën prej 40.000 eurosh, kanë lënë takim tek lokal TAIVANI, që të bisedonin se sa ishte shuma e grumbulluar për marrjen e lejes, shumë e cila do ti dorëzohej ministrit dhe zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Në takim, shtetasi Paro Laçi ka qenë i shoqëruar me shtetasin Agron Laçi, kushëri i tij, i cili ka shërbyer si garanci dhe bindje për personat e pranishëm, se premtimi i shtetasit Paro Laçi do të realizohej dhe se sasia e lekëve duhej shumë shpejt të dërgohej në vendin e duhur. Gjatë bisedës së zhvilluar në këtë lokal, shtetasit Altin dhe Agron nuk janë bindur se duhej të dorëzonin shumën e kërkuar nga Paro dhe e kanë lënë që të takoheshin të nesërmen në mëngjes, pavarësisht se nga ana e tyre ishte siguruar dhe shkëmbyer me kartëmonedha me prerje të mëdha, shuma prej 40 000 euro. Gjatë kësaj kohe, takimet dhe bisedat telefonike janë përgjuar dhe filmuar, ku për të arritur qëllimin e marrjes së lejes, shtetasi Paro Laçi i ka siguruar ata se ka aftësinë të ushtrojë ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës tek ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Gjatë bisedave telefonike për këtë qëllim, ai ka pranuar se është takuar me ministrin dhe se ky i fundit ka filluar të kryejë veprime sipas premtimit të shtetasit Paro Laçi, ku është shprehur se U tha juristëve bëni gati memon, bëni shkresat me ja çu QKL-së dhe se sa të na hedhë neve QKL-ja në sistem, nesër firmoset leja. Sipas bisedave telefonike, rezulton se shtetasit e mësipërm kanë takuar dhe një shtetas me emrin Meti. Sipas bisedës së dt.01.03.2011 ora 13:29, është shprehur tani ka shku ai Meti ke ministri… Ministri i ka thënë të konfirmosh letrën. I ka thënë ministri tani. Pasi është vënë në dijeni të këtij fakti, shtetasi Paro Laçi është shqetësuar duke u shprehur… Nuk ka firmosur letër, unë të thashw ty përpara, tashi unë të them ça më tha ministri, shkon Meti po sot. Çpunë ka Meti, unë të thashë se çfarë më tha, u dha urdhër atyre me bo letër edhe me bo memon, me bo dhe shkresën, mirupafshim tashti. Nuk ka punë me Metin. Jepja leket Metit tia çojë Meti. Ministri se ka frikë as Metin, as mu, ai më sqaroi, mos më vijë mo njeri për këtë punë. Edhe me ka thonë që atëherë, jam tu të kry punën, pikë. Edhe janë kry gjonat, ti e din vetë shumë mirë, pa shku gjo, skry kush gjo.
Më datë 19.03.2011 rreth orës 09.32, janë konstatuar shtetasit Paro Laçi dhe Agron Laçi, të cilët pasi janë takuar tek lokal Taivani me shtetasin Endri Dima, i cili u ka dhënë shumën prej 40 000 eurosh, me qëllim ushtrim të ndikimit të paligjshëm tek ministri për marrjen e lejes minerare, janë nisur në drejtim të rrugës Mine Peza, ku ishte dhe banesa e shtetasit Paro Laçi. Gjatë ndjekjes se lëvizjeve të tyre, rreth orës 09:32 në afërsi të banesës së shtetasit Paro Laçi, janë ndaluar në kushtet e flagrances shtetasit Paro dhe Agron Laçi, ku pas kontrollit të ushtruar, shtetasit Agron Laçi, i janë gjendur dhe sekuestruar në xhepin e brendshëm të xhaketës një zarf me një sasi kartëmonedhash prej 40 000 eurosh. Më pas, po në kushtet e flagrancës, janë kapur dhe ndaluar shtetasit Altin Xhura dhe Endri Dima. Nisur nga fakti i mësipërm, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve Paro Laçi, Agron Laçi, Altin Xhura dhe Endri Dima, pasi dyshoheshin për kryerjen e veprës penale Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike në bashkëpunim. Ekzistojnë dyshime të arsyeshme se shtetasit Altin Xhura dhe Endri Dima, në bashkëpunim midis tyre, i kanë propozuar dhe dhënë një shumë prej 40 000 mijë eurosh shtetasit Paro Laçi, i cili ka premtuar dhe pranuar këtë përfitim të parregullt, me qëllim ndikimin e paligjshëm për marrjen e lejes minerare tek ministri dhe zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, duke konsumuar elementet e veprës penale Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Të arrestuar

  • Paro Laçi
  • Edmond Temali
  • Agron Arusha
  • Bledar Kume
  • Kozma Kule
  • Shkëlqim Balliu
  • Endri Dimo
  • Altin Xhura
  • Agron Laçi

ARMAND BAJRAMI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›