Eksportet arrijnë 1.2 mld euro, dominojnë kromi dhe energjia
Për herë të parë gjatë vitit 2010, eksportet “Made in Albania” u dyfishuan, në krahasim me vitin paraardhës, duke shënuar 75 miliardë lekë. Sipas të dhënave të fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, që i përkasin vitit 2010, eksportet thyejnë të gjitha rekordet, duke arritur në 160 miliardë ose 1 miliardë e 200 milionë euro. Sipas burimeve zyrtare në dogana, eksportet “Made in Albania” gjatë vitit 2010 kanë rritje në sasi e vlerë, krahasuar me vitin 2009, me një rritje 100 për qind. Volumi i eksporteve shqiptare, shprehur në sasi, ka qenë 2 386 mijë ton, nga 1 465 mijë ton të regjistruara me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 921 mijë ton, ose 62 për qind më shumë. Ndërsa si vlerë të eksporteve “Made in Albania”, gjatë vitit 2010 është realizuar një shumë prej 75.3 miliardë lekë, me një rritje prej 37.7 mld lekë ose 100.3 % më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009, ku u realizua një vlerë prej 37.6 miliardë lekë eksporte. Rritje kanë shënuar edhe rieksportet që tashmë njihen si, si eksporte për të cilat në vendin tonë është përdorur vetëm forca e punës, ndërsa lënda e parë vjen nga jashtë, të tilla janë bizneset e fasonit, rrobaqepësitë dhe fabrikat e prodhimit të këpucëve. Kështu sipas të dhënave të doganave rieksportet nga Përpunimi Aktiv gjatë vitit 2010 kanë shënuar gjithashtu rritje në sasi e vlerë, krahasuar me vitin 2009. Gjatë vitit 2010, volumi i rieksporteve nga përpunimi aktiv, shprehur në sasi, është 256.4 mijë ton nga 98.8 mijë tonë të realizuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 157.6 mijë ton ose 159.5 % më shumë. Ndërsa si vlerë të rieksporteve nga përpunimi aktiv gjatë vitit 2010 është realizuar një vlerë prej 85 miliardë lekë, me një rritje prej 20.1 miliardë lekë ose 30.8 % më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009, ku u realizua një vlerë prej 65.3 mld lekë eksporte. Rritja e eksporteve vendase këtë vit është dominuar nga industria, ku në përbërjen të tyre kryesojnë mineralet dhe energjia elektrike. Rritja e cmimeve të metalit në tregun ndërkombëtar dhe specifikisht rritja e cmimit të kromit kanë rritur mjjaft të cvlerën e eksporteve vendase. Gjithashtu prodhimi i energjisë elektrike në rekorde vitin që shkoi ka ndikuar mjaft pozitivisht në arkëtimin e vlerave monetare nga shitja e saj jashtë vendit. Kështu viti 2010 ka thyer rekordet e dy dekadave të fundit në eksportet shqiptare jashtë vendit. Sipas një krahasimi që nga viti 1994, e deri më tani, rezulton se vlera që ka hyrë në ekonominë vendase nga eksportet është nga më të lartat gjatë këtyre 20 viteve. Ky është viti i parë, që në bilancin e tregtisë me jashtë, eksporte shndërrohen në zërin e parë të hyrjeve valutore në vendin tonë, duke lënë mënjanë të ardhurat nga emigrantët dhe ato nga turizmi. Gjithashtu, rieksportet gjenden në një situatë më të mbarë, për shkak se kontratat me kompanitë e huaja këtë vit janë më të shumta, si tregues i kalimit të krizës. Viti 2010 ka rezultuar i mbarë për eksportin e energjisë elektrike. Shirat e bollshëm në fillim të vitit janë shoqëruar me eksport të energjisë në nivele rekord, duke rritur ndjeshëm fitimet e shoqërisë. Nga ana tjetër në studimet e saj, Banka e Shqipërisë (BSH) ka vënë në dukje se eksportet e mineraleve, veçanërisht kromit, janë një mundësi e mirë e përmirësimit të bilancit tregtar. Vitin e kaluar, e gjithë sasia e eksportit të kromit, sipas të dhënave doganore, ishte e orientuar drejt tregut kinez.