E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta, shoqata hedh poshtë abuzimin me çmimin

SHKRUAN: Sabina Veizaj 07-01-2011 14:51

Çmimi i çmendur i naftës në tregun vendas, nuk konsiderohet si abuziv nga Shoqata e Hidrokarbureve. Sipas kreut të kësaj shoqate, Viktor Nushit, rritja e çmimit të arit të zi është ndikuar nga tregu ndërkombëtar, pasi është rritur edhe vlera e dollarit dhe euros, duke iu referuar kursit të këmbimit. “Por duhet pasur parasysh se importi i naftës nuk është i dorës së dytë. Gjithashtu ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi të gjitha politikat financiare shtetërore” - u shpreh Nushi. Ndërsa nga vëzhgimet e vazhdueshme të gazetës “MAPO”, në karburantet e kryeqytetit, nafta e Ballshit tregtohet me 160 lekë për litër, e cila nuk është produkt importi. Duke iu referuar bursës ndërkombëtare, sipas agjencisë prestigjoze Bloomberg, dje një fuçi nafte është tregtuar me 88.41 dollarë, ndërsa një ditë më parë ajo kushtonte 90.41 dollarë, duke shënuar 1.89 dollarë më pak. Ndërsa, kjo rënie nuk është reflektuar në tregun vendas. Në karburantet e kryeqytetit, çmimi i naftës për litër varionte sipas pikave, po si një ditë më parë, nga 146-160 lekë. Në këtë mënyrë, përveç abuzimit me çmimin dhe sasinë, shitja e naftës në vend nuk sheh një çmim të unifikuar. Sipas ekspertëve të ekonomisë, pavarësisht bursës ndërkombëtare dhe raportit kërkesë- ofertë për këtë produkt, çmimet shumë të larta të naftës në vend shpjegohen vetëm me spekulimin që bëjnë vetë tregtarët. Të njëjtën gjë mendojnë edhe konsumatorët e përditshëm të arit të zi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›