Eksportet shqiptare arrijnë 1 miliard euro
Eksportet shqiptare arritën në fund të periudhës 8-mujore në 1 miliardë euro, duke u bërë kështu zëri i parë në financimin e deficiteve monetare të vendit tonë më jashtë. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, eksporti i mallrave arriti në 130 miliardë lekë në periudhën janar-gusht 2011. Ndërkohë që importi i mallrave shënoi një vlerë mbi 3 miliardë euro ose rreth 346 miliardë lekë, duke lënë të hapur një deficit tregtar rreth 220 miliardë lekë. Ndërsa gjatë vitit 2010 Shqipëria ka arritur të ulë deficitin tregtar me 26 për qind dhe të sigurojë eksporte në vlera monetare, në masën 161 miliardë lekë. Vlera e eksporteve të këtij 8- mujori ka thyer një rekord të ri. Ndërsa, sipas ekspertëve të Agjencisë për Tregti Ndërkombëtare (ACIT), rritja e eksporteve i detyrohet kërkesës së jashtme, rritjes së çmimeve në bursa, por në një masë të caktuar edhe dobësimit të lekut në kursin e këmbimit me valutat kryesore. Rritja e eksporteve kontribuoi në uljen e deficitit tregtar në vlerë absolute dhe në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Deficiti tregtar ndaj prodhimit të brendshëm në vitin 2010 ra në 26%, nga 28.7% që ishte në vitin 2009. Viti i mbarë i eksporteve solli rritje në një tjetër tregues të rëndësishëm, mbulimin e importeve nga eksportet, që u rrit në 33.5%, nga 24% që ishte një vit më parë. Në tërësi, rritja e volumit tregtar të vendit përmirësoi indeksin e hapjes së ekonomisë, që mat volumin e tregtisë me jashtë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto. Indeksi i hapjes së ekonomisë për vitin e kaluar ishte 52.3%, me një rritje vjetore prej 4.6 pikësh përqindjeje. Rritja e eksporteve shqiptare është një tregues i zhvillimit të ekonomisë së vendit. Prej më shumë se dy vitesh eksportet shënojnë rritje. Mirëpo për një vazhdimësi të tyre nevojitet një inkurajim i mëtejshëm i biznesit, me anë të politikave qeveritare. Ekonomia e vendit dy vitet fundit, sipas Bankës së Shqipërisë, është ndikuar fuqimisht nga eksportet. Sipas BSH-së, të dhënat e disponuara sugjerojnë se rritja e aktivitetit ekonomik ka vijuar të nxitet në një masë të madhe nga kërkesa e huaj, pra eksportet. Vetëm në muajin gusht u eksportuan 13,420 mln lekë mallra, me ulje 24.7 për qind në krahasim me korrikun 2011 dhe rritje me 38.2 për qind në krahasim me gushtin 2010. Ndërsa u importuan 44,7 miliardë lekë mallra me ulje 6.3 për qind në krahasim me korrikun 2011 dhe rritje 11 për qind në krahasim me gushtin 2010. Tregtia me vendet e BE është 63.1 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 45.5 për qind dhe importi 30.8 për qind, ndërsa me Greqinë eksporti është 5.4 për qind dhe importi 10.6 për qind. Disa nga partnerët tanë tregtarë, me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë: për eksportin, Austri, Belgjikë, Gjermani, Kinë, Kosovë etj., dhe për importin, Austri, Kinë, Kosovë, Rusi, Turqi etj. Krahasimi me muajin paraardhës për disa nga grup mallrat tregon që: Eksporti i grupit “Produkte kimike dhe plastike” u rrit 6.5 për qind. Eksporti i grupit “Tekstile dhe këpucë” u ul 40.7 për qind; “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u ul 37.5 për qind; “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u ul 35 për qind etj.; importi i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u rrit 34.8 për qind; “Ushqime, pije, duhan” u rrit 0.5 për qind; importi i grupit “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u ul 55.5 për qind; “Tekstile dhe këpucë” u ul 41.6 për qind etj.