E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria përdor fondin rezervë për investime

Qeveria ka sakrifikuar rreth 5 milionë euro nga Fondi Rezervë për investime publike. Në fakt, ky nuk është një nga misionet e Fondit Rezervë, por Ministria e Financave shpjegon se gjatë 7-mujorit të 2011-s një pjesë e mirë e tij është përdorur për rimbursimin e kasave fiskale dhe për investime kapitale. Shpenzimet kapitale deri në fund të muajit korrik 2011 janë realizuar në nivelin e 98.4 për qind të parashikimit të periudhës, ose në rreth 51.4 për qind të planit vjetor. “Këtu duhet të mbahet parasysh se rreth 645.7 milionë lekë janë dhënë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për investime,” thuhet në dokumentin zyrtar të Ministrisë së Financave për shpenzimet publike. Brenda këtyre shpenzimeve, investimet me financim të brendshëm janë realizuar në masën 67.2 për qind, ndërkohë që investimet me financim të huaj janë realizuar në masën 31.1 për qind të parashikimit vjetor. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, investimet e brendshme rezultojnë rreth 1.2 miliardë lekë më të ulëta, ose rreth 4.1 për qind më pak, ndërkohë që investimet me financim të huaj rezultojnë rreth 1.6 miliardë lekë më të larta, ose rreth 18.9 për qind më shumë. Për rrjedhojë, investimet në total në fund të muajit korrik 2011 janë rreth 1.2 për qind më të larta ose rreth 0.6 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Struktura e investimeve kapitale të realizuara gjatë periudhës janar ‐ korrik 2011 është rreth 72.8 për qind nga financimi i brendshëm dhe rreth 26.7 për qind nga financimi i huaj. Investimet publike kanë patur kulmin e tyre në vitin 2009, ku për shkak të impenjimeve në ndërtimin rrugës së re Durrës-Kukës rritja e tyre si në vlerë neto por edhe përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto arriti në nivelin më të lartë të dekadës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›