Zgjedhjet, rriten shpenzimet për paga me 12 milionë euro
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, kostot e personelit janë rritur para aplikimit të rritjes së pagave dhe pensioneve. Ekspertët e ekonomisë e shpjegojnë me efektin që kanë dhënë zgjedhjet vendore në financat e shtetit
Për shkak të rënies se të ardhurave buxhetore, pothuajse të gjithë zërat e shpenzimeve shënojnë ulje në krahasim me një vit më parë, përveç shpenzimeve të personelit. Kostot e administratës së shtetit janë rritur në krahasim me një vit më parë, me gati 12 milionë euro, por edhe në raport me planin e këtij viti. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, kostot e personelit janë rritur para aplikimit të rritjes së pagave dhe pensioneve. Ekspertët e ekonomisë e shpjegojnë me efektin që kanë dhënë zgjedhjet vendore në financat e shtetit. Gjithmonë në prag zgjedhjesh ka një tendencë të fryrjes së administratës, e cila shoqërohet edhe me shpenzime ekstra, që në rastin konkret kanë kaluar edhe planin e përcaktuar në buxhetin e shtetit. Brenda shpenzimeve korrente, shpenzimet e personelit përfaqësojnë rreth 22.1 për qind të totalit të shpenzimeve korrente të realizuara gjatë periudhës janar-korrik 2011, ose rreth 0.6 për qind më shumë se parashikimi i periudhës, thuhet në parashikimin e Ministrisë së Financave. “Kundrejt planit vjetor, këto shpenzime në fund të muajit korrik janë realizuar në rreth 56.4 për qind të tij, ndërkohë që krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë shpenzimet e personelit rezultojnë rreth 1.4 miliardë lekë më të larta, ose rreth 3.8 për qind më shumë” thuhet në një dokument zyrtar të dikasterit të Bodes. Por burimet në Ministrinë e Financave bëjnë të ditur se situata do të ndryshojë kryekëput gjatë vitit 2012, ku do të hyjë në fuqi organigrama e re e qeverisë. Struktura e re pritet të shoqërohet me shkurtime të konsiderueshme, të cilat pritet të reflektojnë në uljen e kostove të personelit. Sipas Ministrisë së Financave, kjo reformë do të bëhet për t’i vënë fre abuzimeve me fondin e pagave, që buxheti vë në dispozicion të institucioneve. Struktura e re parashikon shkrirje të drejtorive dhe sektorëve me funksione të ngjashme në shumë dikastere. Gjithashtu, struktura e re do të spastrojë administratën nga mbushjet që u bënë pas skemës së vitit 2005 për qeverisje të vogël. Burimet në Ministrinë e Financave pohojnë se misioni i reformës nuk ka qëllim të vetëm gjenerimin e një fondi nga shkurtimet që do të shërbejë për rritjen e pagave, por shkurtimin e kostos buxhetore për pagat e administratës. Për shkak se tashmë gati 2 të tretat e buxhetit të shtetit përdoren për paga dhe pensione. Pas reformës në paga, Ministria e Financave pritet të marrë edhe një reformë për rishikimin e skemës së pensioneve, e cila është rekomanduar me urgjencë nga Banka e Botërore. Kështu, sipas ndryshimeve që janë duke u bërë në Ministrinë e Financave, do të vazhdojë rritja e diferencuar e masës së pensioneve për qytetin dhe fshatin. Ndërkohë që ministri Bode ka pohuar se “Jemi i vetmi vend në rajon, që më shumë se 1/3 e buxhetit e akordojmë për pensione dhe politika sociale”. Bode ka lënë të kuptojë se rritja e pagave dhe pensioneve është maturuar tashmë. Gjatë muajit të ardhshëm Ministria e Financave pritet të nisë konsultimet me grupe të interesit për reformën e pensioneve, e cila në themel të saj do të ketë uljen e kostove buxhetore.