Eksporti i çimentos në Kosovë, Jakaj: Tarifa është jashtë çdo logjike

Nikolin Jakaj / foto arkiv
Dhoma e Tregtisë ka reaguar sot në lidhje me tarifën e vendosur nga Ministria e Tregtisë së Kosovës mbi çimenton shqiptare. Në një konferencë për shtyp të mbajtur në mesditë, kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, kërkoi heqjen e tarifës prej 35 për qind për çimenton që Kosova importon nga Shqipëria.
Vendimi i ministres Mimoza Kusari Lila penalizon në mënyrë arbitrare çimenton shqiptare. Analizat tregojnë se 40 për qind e nevojave të Kosovës për çimento mbulohet nga Shqipëria. Dua ti bëj thirrje zonjës Kusari-Lila të ketë një reagim pozitiv, ashtu si në rastin e patateve. Uroj të hiqet kjo tarifë që ka rënduar në mënyrë të ndjeshme importin e këtij produkti. Tarifa prej 35 për qind është jashtë çdo lloj logjike, tha Jakaj. / G.N.
Kosova bllokon çimenton e Shqipërisë
Ministrja Mimoza Kusari-Lila ka vendosur ta bllokojë hyrjen e çimentos së Shqipërisë në Kosovë. Ajo ka marrë vendim që importuesit të paguajnë një tarifë prej 35 për qind. Këtë thotë se e ka bërë për ta mbrojtur prodhimin e vendit. E prodhuesi i vetëm në Kosovë është SharrCemi, që është në pronësi të kompanisë greke Titan.
Ndonëse thuhet se, kjo tarifë është vendosur për të gjithë importuesit, në fakt nga kjo preket vetëm një prodhues i çimentos nga Fushë-Kruja, i cili ka dominuar në tregun e Kosovës. Ndërkaq, me këtë favorizohet prodhimi i kompanisë greke Titan, e cila ka fabrika në Maqedoni, Serbi, Shqipëri.
Ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari Lila, mohon që këtë e ka bërë me direktiva të mikut të saj, Lekë Musa, i cili punon si këshilltar në SharrCem. Të dy kanë punuar shumë kohë në Odën Ekonomike Amerikane. Ajo insiston se këtë e ka bërë për mbrojtjen e prodhimeve të vendit, derisa për vendimin thotë se ka bazë ligjore.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës çimentoja nga Shqipëria e ka mbizotëruar importin gjatë vitit 2011. Nga ky shtet janë importuar 226 mijë e 847 tonë çimento. Vlera doganore e sasisë së importuar nga Shqipëria ka qenë 14 milionë e 473 mijë e 559 euro. Nga kjo sasi importuar nga Shqipëria në buxhetin e Kosovës janë derdhur 2 milionë e 319 mijë euro nga pagesa e TVSH-së që është bërë me rastin e importit. Edhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012 importi nga Shqipëria ka vazhduar të dominojë, pasi janë importuar 102 tonë çimento. /Koha Ditore/
Përgatiti: E.L