Eksportimi i veshjeve, prodhuesit: Jemi në vështirësi
Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve ka reaguar dje nëpërmjet një deklarate për shtyp, nga ku ka deklaruar se eksportet e veshjeve që prodhohen në Shqipëri kanë shënuar ulje drastike për shkak të problemeve me lejet e transportit me shtetin italian. “Çdo vit import-eksporti i mallrave me Italinë bllokohet 1-3 muaj për mungesë të lejeve bilaterale të kalimit për kamionët shqiptarë. Kjo sepse nga Ministria e Transportit e Italisë nuk jepet sasia e nevojshme e lejeve bilaterale për të përballuar nevojat e transportuesve. Shqetësimi është bërë i ditur për autoritetet shqiptare. Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve ka informuar për këtë problem ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, ndërsa vetë autoriteti përgjegjës për sigurimin e këtyre lejeve, Shoqata Kombëtare Shqiptare e Transportuesve Rrugorë Ndërkombëtarë, ANALTIR, ka ngritur prej kohësh po të njëjtin shqetësim”, - thuhet në njoftimin për shtyp. Sipas kësaj organizate biznesi, problemet me shtetin italian në këtë pikë kanë qenë të shpeshta, pavarësisht se me vendet e tjera nuk ka pasur probleme. “Fenomeni, edhe pse i njohur, ndodh vetëm me qeverinë italiane. Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe grupime analoge eksportuesish në vendin tonë eksportojnë në rreth 19 vende të Evropës dhe të botës, por bllokimi i lejeve të lëvizjes së mjeteve që importojnë dhe eksportojnë mallra, sipas kontratave ligjore dhe brenda të gjitha kushteve që përcaktojnë ligjet evropiane, ndodh vetëm me Italinë”, - shprehet Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve.