E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Zyrtarët, kujdes me paratë e shqiptarëve

Kryeministri Sali Berisha kërkon nga zyrtarët e shtetit që paratë e taksapaguesve shqiptarë t’i përdorin në mënyrën më të ndershme. Me këtë ne bëjmë jo vetëm një hap shumë të madh drejt një niveli të ri transparence, u shpreh Kryeministri, por drejt një niveli të ri në lirinë e tregut sepse i japim mundësi konkurrencës së ndershme, konkurrencës së lirë, parandalojmë ndikimin e pandershëm të burokracisë zyrtare në rregullat e lojës. Berisha theksoi dje se prokurimi elektronik i jep përgjigjen më të mirë klientelës duke e zhdukur atë, e cila është një faktor shumë i dëmshëm në të gjitha aspektet. Kryeministri u shpreh se qeveria po procedon me reforma të thella në prokurimet publike, taksa dhe tatime dhe në regjistrimin e biznesit, licencave dhe lejeve. Kryeministri Sali Berisha vlerësoi dje se "prokurimi elektronik është transparenca më e madhe që mund të bëhet me prokurimet publike". Sipas tij, "me vendimin për zbatimin e prokurimeve elektronike nga data 1 janar 2009, Shqipëria shkon drejt një niveli të ri për sa i përket lirisë së tregut".

Banka Amerikane, emri i ri “Intesa Sanpaolo Bank Albania”

Banka Amerikane e Shqipërisë feston sot 10-vjetorin e krijimit të saj. Kjo ceremoni do të shërbejë gjithashtu për të prezantuar identitetin e ri vizual të bankës pas blerjes nga banka “Intesa Sanpaolo”, një ndër grupet bankare më të mëdha të Evropës. Nga data 13 tetor 2008, Banka Amerikane do të njihet në tregun bankar shqiptar si “Intesa Sanpaolo Bank Albania”. Investimet e vazhdueshme ne teknologji si dhe përkushtimi i stafit të talentuar kanë bërë që kjo bankë të shndërrohet në një lider në tregun bankar vendas, duke tërhequr interesin e grupeve të mëdha bankare evropiane, një prej të cilëve finalizoi blerjen e Bankës Amerikane të Shqipërisë. Të pranishëm në këtë ceremoni do të jenë përfaqësues të lartë të Bankës Amerikane të Shqipërisë, përfaqësues të lartë nga “Intesa Sanpaolo Group”, zëvendësambasadori amerikan në Shqipëri dhe përfaqësues të qeverisë shqiptare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›