E Diel, 1 Nëntor 2026

Pandi Laço : Zhurmuesi, ilaçi teknik i diktaturës, një lloj censure televizive

Intervistoi: Suela Furriku

Ka nostalgji që reflekton mallin e ëmbël, por dhe nostalgji të hidhur, siç mund të jetë rikthimi i shiritit të diktaturës, për të parë veten ata që ia kaluan në komoditet. Por asnjëra nga këto nuk do të ndodhë në spektaklin që po përgatitet nga Pandi Laço, një produksion televiziv i TV Klan, që pritet të nisë në fund të tetorit.

Vërtet do të kemi parasysh Shqipërinë e viteve ‘45-1990, shqiptarët e ndrydhur, që rrinin sus përpara fjalës së partisë, por ideatori i spektaklit tregon për një mirazh televiziv. Mbi 50 puntata që do shfaqin mbi një dokument historik dhe arkivor të kaluarën tonë, që të ngjeth për injektim ideologjik, por që na bën groteskë deri në therje për fatkeqësinë tonë. “Bëhet fjalë për dëshmitarë të këtyre ndodhive dhe nuk është e thënë se duhet të jetë patjetër një personazh i njohur, por detyrimisht një dëshmitar real që ka qenë prezent në ngjarjen që do të serviret gjatë një mbrëmjeje të caktuar”, - thotë Laço, duke na zbuluar për gazetën “standard” dhe pjesën e tij personale të përjetimit të kësaj historie, si refleksion i këtij spektakli që mban emrin “Histori pa zhurmues”. Duket se është koha e rrëfimit, të asaj çfarë ishim dhe ku jemi në transformimin e vetvetes dhe mendësisë si komb.

Kemi dëgjuar për një sipërmarrje të rëndësishme televizive, që ironizon diktaturën, bëhet fjalë për një spektakël, çfarë është konkretisht ky projekt?

Është një projekt dhe format krejtësisht origjinal dhe i parealizuar ndonjëherë në Shqipëri. Mund të them që ky si projekt ka origjinalitetin e tij edhe sa u përket formateve televizive që kemi parë deri tani në mediat e huaj. Ideja e emisionit, i cili pritet të vijë së shpejti është një show dhe dokumentar. Bëhet fjalë për historinë e Shqipërisë nga viti 1945 e deri në vitin 1990, pra formati ynë trajton pothuajse një gjysmë shekulli. Është një histori e cila vjen e realizuar nëpërmjet kronikave të realizuara nga Kinostudio “Shqipëria e Re”. Për një periudhë të madhe kohore, këto kronika kanë qenë pak a shumë edicionet informative mujore të popullit shqiptar, ku një pjesë e mirë e tyre kanë qenë “të ndrydhur” nga politika dhe propaganda e asaj kohe, por një pjesë tjetër të japin mundësinë për të krijuar një ide shumë të qartë se si ne kemi qenë. Këto kronika, jeta shqiptare, historia e Shqipërisë duke filluar që nga jeta politike, sociale, arti, kultura, muzika, televizioni, gjithçka do të vijë në këtë program, i cili strukturën do ta ketë të tillë. Një mbrëmje, një spektakël, një vit i caktuar. Janë pothuajse gjithsej rreth 50 puntata ku secila prej tyre trajton një vit të caktuar në objekt, pra një vit i tillë vjen me ngjarjet kryesore që ka pasur duke prekur të gjitha fushat jetësore si në ekonomi, art, kulturë, apo cili ka qenë filmi i vitit, hiti muzikor e kështu me radhë. Prandaj, është dokument, por njëkohësisht edhe një show muzikor. Kjo do të vijë jo vetëm nëpërmjet kronikave, por edhe nëpërmjet njerëzve, të cilët i kanë shoqëruar këto ngjarje kryesore. Bëhet fjalë për dëshmitarë të këtyre ndodhive, dhe nuk është e thënë se duhet të jetë patjetër një personazh i njohur, por detyrimisht një dëshmitar real që ka qenë prezent në ngjarjen që do të serviret gjatë një mbrëmjeje të caktuar.

Cili është titulli i emisionit tuaj dhe cila është domethënia e tij?

Titulli është “Histori pa zhurmues”. Zhurmuesi ka qenë një ilaç teknik që sistemi i asaj kohe i bënte një lloj censure informacionit që ne na vinte nga jashtë dhe nga ana tjetër i bënte edhe një lloj censure edhe materialeve filmike që ne na vinin nëpërmjet kinoditarit, dhe jo materiale që kishin impakt të gjerë në shoqëri për probleme të ndryshme, por çdo gjë vetëm brenda një kornize. Kjo ishte me pak fjalë një lloj “velloje” që i vinte sistemi këtyre kronikave për t’i përcjellë tek publiku. Kjo është arsyeja që emisioni quhet me zhurmues. Por ne duam t’ia heqim këtë lloj “velloje” këtyre materialeve filmike, ku shumë mirë mund të konsiderohet edhe një histori pa zhurmues.

Çfarë është synimi i historisë pa zhurmues në këtë rast?

Së pari, kërkoj të njoh atë kategori të publikut që nuk e ka jetuar këtë periudhë dhe si kemi qenë ne, apo si ka qenë Shqipëria në ato vite.

Po flisni për brezin e ri?

Po, po flasim për brezin e ri, por ndërkohë të mos harrojmë brezin që e ka jetuar duke qenë se sot gjithçka është në rrymën dhe në rrjedhën e vet, por e vërteta nuk është kështu. Është bërë gati gjysmë shekulli dhe drejtimi i ngjarjeve ka qenë ai që jepte vetë sistemi, dhe ajo që ata kanë dashur. Qëllimi nuk është vetëm të sjellë informacion, jo vetëm të rikrijojë historinë, por në fund të fundit të vlerësojë disa anë të cilat kanë mbetur të paprekura në media.

Do të jeni ju moderatori i emisionit?

Po, do të jem unë drejtuesi i këtij emisioni, meqë unë prej vitesh ushtroj edhe profesionin e gazetarit.

Sa kohë ka që keni ndërmarrë këtë iniciativë?

Në fakt unë kam kohë që merrem me këtë projekt. Kam lexuar dhe po lexoj, studioj dhe kam parë shumë materiale ku një pjesë e tyre me ka lidhur edhe me programet paraardhëse, si “Këngët e shekullit” apo “Historia e filmit shqiptar”. Për herë të parë po synoj që të ketë edhe elementë të tjerë të fushave të ndryshme, që në një show televiziv nuk kanë mbërritur.

Po ju vetë çfarë kujtoni nga ajo kohë?

Kujtoj shumë gjëra, ku një pjesë të të cilave do t’i sjell edhe në programin televiziv. Kujtoj kohën e radhës së qumështit, e ngritjes në dy të mëngjesit për të blerë qumështin, është historia kur kërkohej borxh biçikleta e shokut për të pasur një tërheqje më të madhe nga seksi i kundërt, apo mund të them se ishte koha kur kërkohej edhe çelësi i shtëpisë për të ndenjur me një shoqe, e shumë e shumë histori të tjera që do të vijnë së shpejti në këtë emision.

A mendoni se brezi i ri qëndron disi indiferent ndaj dëshirës dhe këmbënguljes për të njohur ndoshta edhe më mirë historinë dhe mënyrën e organizimit të jetesës së paraardhësve tanë?

Kjo është e vërtetë. Në momentin kur interneti sot ka sulmuar gjithçka në të gjithë botën, jo vetëm këtu në Shqipëri, mbase sjell një indiferencë ndaj të kaluarës dhe historisë. Por e vërteta është se kombe me kulturë nuk janë indiferente ndaj historisë nga kanë rrjedhur, përkundrazi janë brezat ata që e ndërtojnë historinë, brezat ata që e mbajnë të shkruar dhe të dokumentuar. Në historinë tonë si komb kemi vakume, periudha të errëta dhe të panjohura dhe pavarësisht se mund të konsiderohemi një komb i lashtë, në momente të caktuara nuk dimë t’u themi pasardhësve se nga vijmë dhe kush jemi ne. Unë nuk them se ka për të ndodhur edhe pas këtij programim, por mendoj që disa njerëzve të cilët sot kanë një mision që kanë studiuar dhe që njohin historinë, iu bie një barrë për ta informuar brezin, për më tepër me absurdin e shumë gjërave të cilat sot mund të quhen dhe njihen si fenomene humoristike.

Cila është baza materiale që po përdorni dhe ku jeni mbështetur për këtë?

Po shfrytëzoj materiale nga Arkivi Qendror Shqiptar i Filmit si dhe një pjesë edhe nga Televizioni Publik shqiptar. Por rreth 90 për qind janë materiale të marra nga AQSHF-ja, ndërsa TVSH-ja ka filluar shumë vonë të dokumentojë, por edhe në atë kohë kur po përdorej ajo pjesë teknike është pothuajse e konsumuar.

Mësuam se do të ketë edhe të ftuar, si do t’i trajtoni ata gjatë një puntate?

Në emision do të ketë gati dhjetë ngjarje brenda një viti dhe detyrimisht do të ketë edhe nga një të ftuar si dëshmitari i një historie.

Çfarë do të synoni të zbuloni tek ky i ftuar?

Unë do të synoj të kërkoj të vërtetën. Pse ndodhte ajo lloj rrjedhe, çfarë ka ndodhur dhe pse ndodhte? Dua të zbuloj mënyrën se si do ta gjykojë ky dëshmitar i asaj kohë atë fenomen.

Do të jenë kronika që i përkasin vetëm aspektit propagandistik, si do ta trajtoni këtë të fundit gjatë emisionit?

Aspekti propagandistik është prezent dhe nuk mund ta eliminojmë atë. Do të jetë vetë filmi ai që do ta krijojë imazhin e propagandës. Unë nuk dua të bëj komente, t’i hyjë në thellësi kësaj propagande, sepse ajo do të interpretohet nga vetë ai që e shikon në televizion dhe nuk ka sepse të merret gazetari apo programi me elementë të detajuar të atij sistemi, politikës dhe propagandës.

Shohim një rikthim ndër vite, duke trajtuar jetën e kombit shqiptar nën izolimin e diktaturës, shumë aspekte jetësore... a mund ta quajmë këtë një emision nostalgjik?

Po, mund të konsiderohet edhe emision nostalgjik, por nostalgjik jo në sensin që mund të keqinterpretohet. Nostalgjia është një lloj ndjesie që gjendet tek çdo njeri, jo vetëm tek brezi im, pra ata që i kanë jetuar këto ngjarje, është i kristalizuar aspekti nostalgjik, por edhe tek brezi i ri. Një djalë që ka ardhur për të studiuar në Tiranë, patjetër që ka shumë nostalgji për qytetin e tij, rrugicën ku ka luajtur, apo për atë pemën në fund të oborrit të fshatit. Edhe ky emision do të sjellë ato elementë nostalgjikë që kanë të bëjnë me njeriun dhe kulturën tonë, por jo që të sjellë nostalgjinë e regjimit të asaj kohe.

Në rastin konkret, për çfarë keni nostalgji për atë periudhë kohe që keni jetuar?

Sigurisht që kam nostalgji, e sidomos për lojërat e dikurshme si çdo fëmijë, kam nostalgji për shokët, miqtë dhe për sheshin para pallatit ku luaja çdo ditë. Por vetëm kaq, sepse nuk ndjej aspak nostalgji të një karakteri më të gjerë siç mund të jetë klima, sistemi. Ajo është më tepër me një nostalgji që ka të bëjë më tepër me kujtimet e fëmijërisë dhe me anën ndjesore të një njeriu, por jo me atë që kanë qenë fenomene të jashtme, të cilat më tepër të regresionin se sa krijonin mundësi.

Kur pritet ekzaktësisht emisioni?

Puna përgatitore ka kohë që ka filluar siç e theksova edhe më lart. Kam rreth dy muaj që po punoj intensivisht me këtë projekt. Po përgatis njëkohësisht edhe koreografinë, para një muaji kam filluar “gërmimet” edhe në arkivin e filmit. Duke u mbështetur në gjitha këto angazhime njëkohësisht shpresoj që në fund të tetorit apo në fillim të nëntorit të fillojë emisioni “Histori pa zhurmues”.

Historikisht produksionet tuaja kanë pasur ekskluzivitetin e televizionit Klan, pse kaq i lidhur me këtë kanal?

Sepse televizioni Klan është i pari që në një lloj mënyrë më dha mundësinë të bëja atë që doja. Unë kam punuar në televizionin shtetëror deri në vitin 1995, në të cilin politika e programeve deri diku kanë qenë e orientuar, por nuk ka qenë liri maksimale, gjithçka që doje. Unë mund të quhem si një nga pesë themeluesit e televizionit Klan, ku drejtori dhe një nga pronarët, Aleksandër Frangaj, më propozoi që të bashkëpunoja me të, pasi ai hapi këtë kanal, veç radios në atë kohë. E pranova me kënaqësi ftesën e tij, punova full time për disa vite, por pas disa kohësh mendova që është më mirë që të punoja me projekte për të mos pasur atë rutinë dhe impenjimin e përditshëm që të bluan atë zellin kreativ. U bënë tashme rreth katër vjet që vazhdimisht punoj me këtë televizion dhe projektet e tij.

Brenda një viti ju keni prezantuar tre projekte të ndryshme televizive, si “Këngët e shekullit”, “Maratona e këngës popullore”, e tashmë edhe “Histori pa zhurmues”. Sa e vështirë është për ju dhe nga ju buron gjithë kjo energji për t’i finalizuar këto projekte?

Nuk mendoj se është diçka e jashtëzakonshme. Ka njerëz edhe më produktivë sot në botë. Njerëzit që ia kanë falur jetën televizionit, sigurisht që e shohin jetën e tyre të lidhur me një ekran. Mund të mos jesh prezent në ekran, por vjen me ide të reja. Qëllimi është që të gjenerosh gjëra që të arrijë tek publiku dhe besoj se ia kemi dalë. Kanë qenë spektakle të karakterit të ndryshëm. “Maratona e këngës popullore” i drejtohej një pjese të gjerë publiku, “Këngët e shekullit” i drejtohej një auditori më të sofistikuar dhe është ndryshe ky i fundit, por ideja është që të vish sa më i larmishëm.

Sezoni i ri artistik ka sjellë emisione të reja, le të themi, të cilat janë të ideuara në bazë të programeve të huaja, sidomos të vendeve fqinje. Si e vlerësoni ju këtë fenomen dhe pse nuk kemi një ide autentike?

Media shqiptare ka një karakteristikë, që ne kemi bërë çfarë kemi parë. Kjo ka ndodhur tradicionalisht, madje edhe festivali i parë në vendin tonë është dëgjuar pasi është parë tek Festivali i Sanremos, që i përket vitit 1962. Ne duke qenë se ishim fqinjët më të mirë të Italisë dhe shihnim gjithçka që emetonte “Rai”, morëm modelin e tyre dhe realizuam festivalin. Kjo gjë ka ndodhur edhe më pas. Kur televizioni filloi të realizonte “reality show” ne i morëm dhe i përdorëm ashtu siç bënin edhe shumë vende të botës. Unë mendoj se ky format që ne po realizojmë është një format origjinal. Të tilla ka, por është shumë e vështirë të mbjellësh dhe të kesh sukses me një format të ri origjinal kur ai nuk është i testuar.

Po në rastin tonë, si po ia bëni për ta testuar këtë emision?

Edhe në rastin konkret një risk është, sepse programi është i patestuar, por do ta kapërcejmë, sepse ka elementë që mund të përthithen mirë nga publiku. Por nuk është për t’u sharë fenomeni që ne marrim diçka pozitive nga bota,ndoshta duhen gjëra më origjinale dhe janë më afër natyrës e karakterit vendas. Por kjo gjë kërkon atë shkollën televizive, por edhe njerëz me ide.

Çfarë na mungon ne që nuk arrijmë të realizojmë produksione autentike tonat, përveç disa rasteve të veçanta?

Ide edhe mund të ketë, por duhet të ketë edhe para. Megjithatë, ka ardhur koha që sot edhe pse ka para, mund të kapet audienca televizive. Këtë e them me bindje.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›