E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në Shëndetësi, Vasili: “Do të ketë spitale vetëm në 12 qarqe”



Jonida Tashi

Në të gjithë vendin do të funksionojnë vetëm 12 spitale të mëdha, që do të jenë në nivel qarku, ndërsa pjesa tjetër e spitaleve rajonale do të shndërrohen në qendra shëndetësore. Kështu ka deklaruar dje, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili në këtë mënyrë ka pranuar shqetësimin e ngritur pak ditë më parë nga drejtoresha e Institutit të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, sipas së cilës, pjesa më e madhe spitaleve rajonale nuk ishin funksionale. Sipas deklaratës së djeshme të kreut të Shëndetësisë, në të gjithë vendin do të funksionojnë vetëm 12 spitale, të cilat do të jenë të përqendruara në çdo qark të vendit. Ndërsa spitalet ekzistuese në rrethe të tjera të vendit, do të funksionojnë si qendra shëndetësore.
Deklarata
Në deklaratën e tij për transformimin e spitaleve të rretheve në nivel qarku, ministri Vasili ka theksuar se thelbi i reformës shëndetësore që në fillimet e lancimit të saj ka qenë rajonalizimi i sistemit shëndetësor. Kjo do të thotë sipas tij, se shërbimi më i mirë, i specializuar me aparatura e mjekë, të jetë i përqendruar në qendër të qarqeve, ndërsa spitalet në rrethe të funksionojnë si qendra pritëse të pacientëve, për t’i orientuar më pas në spitalin rajonal. Ndërkaq, deklarata e ministrit të Shëndetësisë vjen disa javë pas asaj të bërë nga drejtoresha e ISKSH-së, sipas së cilës, vetëm 29 për qind e spitaleve në nivel bashkie funksionojnë si të tilla.
Në një periudhë kohore prej 9 muajsh, që nga nisja e detyrës si ministër i Shëndetësisë, Petrit Vasili i ka garantuar shqiptarët se sistemi shëndetësor do të vijojë të ndryshojë drejt standardeve europiane. Gjatë analizës së punës së tij si ministër, Vasili u ka bërë thirrje qytetarëve të denoncojnë problemet në sistemin shëndetësor, si mitmarrja e korrupsioni për të përmirësuar shërbimin shëndetësor ndaj tyre.
Spitalet
Për të evidentuar gjendjen e spitaleve që funksionojë në rrethe të ndryshme si dhe eficiencën e përdorimit të tyre, ISKSH-ja realizoi një studim të hollësishëm. Nga hulumtimi i bërë nga ana e specialistëve të ISKSH-së pranë të gjithë spitaleve në vend, janë vënë re një sërë mangësish në dhënien e shërbimit jo vetëm në spitalet bashkiake, por edhe ato rajonale. Sipas të dhënave të ISKSH-së, disa spitale në nivel bashkie nuk justifikojnë funksionet publike për të cilat janë krijuar dhe financohen. Aktiviteti i këtyre spitaleve është në nivelin e shërbimeve ditore, si urgjenca, vizita ambulatore nga disa mjekë specialistë apo të përgjithshëm. Sa i takon spitaleve rajonale, ISKSH-ja ka evidentuar se ato kanë mangësi në disa specialitete të domosdoshme dhe në mënyrë të veçantë e lidhur kjo me mungesën e investimeve në salla kirurgjie, shërbimet e reanimacionit dhe mjekë kirurgë etj. Numri i ulët i pacientëve të trajtuar dhe treguesi i ulët i shfrytëzimit të shtratit në disa spitale, flet qartë për eficiencën e ulët të tyre dhe përsëri për një përdorim jo racional të fondeve të alokuara në to. Indikatori i shfrytëzimit të shtratit në shkallë vendi është 33%, në nivel spitali rajonal është 47% dhe në nivel spitalesh bashkiake 29%, tregues ky mjaft i ulët dhe larg mesatares së vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore ku është rreth 73%.

Rekomandimet e ISKSH-së për përmirësimin e situatës në spitale

Pas publikimit të studimit për funksionimin e spitaleve në rrethe, ISKSH-ja, ka nënvizuar disa rekomandime, implementimi i të cilave mund të sjellë përmirësim të situatës në sistemin spitalor, e parë kjo në këndvështrimin e skemës së sigurimeve shëndetësore. Rekomandimet janë si më poshtë:
1.Rishikimi i shpërndarjes territoriale dhe riorganizimi i sistemit spitalor, duke pasur si kriter bazë shërbimet që ato mund të ofrojnë dhe lidhjen më të mirë të tyre me fondet e alokuara. Në këtë kuadër, synohet fuqizimi i spitaleve rajonale, të cilët do të kenë një paketë shërbimi transparente dhe që do të ofrohet realisht në çdo spital rajonal.
2.Rritjen e nivelit profesional të personelit mjekësor dhe rritjen e shkallës së motivimit nëpërmjet ofrimit të pagesave të diferencuara për mjekët specialistë.
3.Përmirësimi i shkallës së menaxhimit financiar të spitaleve dhe në veçanti ngritja e strukturave për evidentimin e kostove, në mënyrë që të bëhet i mundur financimi për performancë edhe në spitale, si në parësor.

Liqeni i Shkodrës pushtohet nga plehrat dhe ndërhyrjet e paligjshme

Liqeni i Shkodrës rrezikohet nga ndërhyrjet e paligjshme dhe gjuetia pa kriter. Qeveria shqiptare dhe ajo malazeze po iniciojnë projekte të përbashkëta për ruajtjen dhe shfrytëzimin racional të tij. Liqeni i Shkodrës, më i madhi në Ballkan mbart 45 lloje peshqish, të cilët tradicionalisht kanë qenë burim jetese për banorët e të dy anëve të kufirit Shqipëri-Mali i Zi. Vitet e fundit kjo pasuri natyrore po shkatërrohet së tepërmi nga ndërhyrjet e paligjshme dhe gjuetia pa kriter. Në gjatësinë prej rreth 15 km, përgjatë bregut të liqenit janë krijuar vende të shpeshta grumbullimi, mbetjesh inerte dhe mbeturinash, që hidhen aty kryesisht nga kafenetë e restorantet e ngritura në afërsi të rrugës. Nga banorët përreth, që janë edhe vizitorët më të shpeshtë të kësaj zone, shprehet shqetësimi për këtë ndotje, në një kohë kur autoritetet dhe organizmat joqeveritare, lancojnë gjithnjë e më shpesh projekte dhe financime për mbrojtjen e kësaj tërësie ujore. Përveç mbeturinave që mbart sot, prej më shumë se një dekadë, në brigjet e liqenit dhe të lumit Buna, derdhen ujërat e zeza të qytetit të Shkodrës. Kjo ndotje si dhe gjuetia e paligjshme, sipas ekspertëve, po i sjell dëme të konsiderueshme ekosistemit të liqenit, pjesa shqiptare e të cilit para tre vitesh, është shpallur zonë e mbrojtur Ramsar. Lidhur më këtë situatë, ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, ka deklaruar se po ndërmerren projekte konkrete nga qeveria, për ruajtjen e mjedisit, si një nga pasuritë më të mëdha shqiptare. Ndërsa homologu i tij malazez, Branimir Gvozdenoviç, ka theksuar se detyra jonë e përbashkët është që të ruajmë këtë pellg ujor, i cili është më i madhi në rajon, duke zhvilluar njëkohësisht edhe ekonominë e dy vendeve tona. Por, megjithë këto dy deklarata zyrtare deri më tani asnjë masë nuk është marrë konkretisht për shpëtimin e liqenit të Shkodrës. Si një pasuri e përbashkët e të dy shteteve Shqipërisë dhe Malit të Zi, liqeni i Shkodrës ka qenë objekt i disa takimeve mes qeveritarëve të dy vendeve. Së fundmi, në marrëveshjet mes tyre u prezantuan strategjitë dhe projektet që pritet të zbatohen për mbrojtjen e këtij ujëmbledhësi, si baseni më i madh ujor në Ballkan dhe shpalljen e tij “Park Kombëtar”.

16 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›