Ajo që duhet ta kishim bërë ne!
Albert Gjoka
Çdo gjë e keqe që ndodh rëndom në Perëndim, ende pa u zbardhur, e ka një fajtor: këta janë shqiptarët. Një gjë të tillë e kemi parë në Itali, Greqi, Gjermani, Belgjikë, Britani, SHBA e gjetkë... Edhe sikur të mos kemi gisht aspak në një ngjarje, damka e keqe e imazhit na ka bërë që të jemi në mendjet e tyre për të keq. Kjo është bërë pjesë e perceptimit të të huajve, i cili është sendërtuar në mënyrë graduale, ku me të drejtë e ku nën heshtje, ku me dhunë e ku me dëshirë, dhe sot vlerat tona zbehen përballë imazhit negativ që është krijuar edhe në mendjet më të shëndosha dhe më pa paragjykime. Pa dyshim, media dhe shoqëria civile, në të shumtën e rasteve, kanë sterrosur pehashin e një imazhi të tillë.
Si për ilustrim të asaj që thamë në lart shërben ngjarja që ndodhi në Belgjikë, ku u vra një gjyqtar dhe një kancelar në mjediset e Gjykatës së Brukselit. Ende pa u zbardhur ngjarja, pa u identifikuar autorët, të gjithë, përfshirë edhe autoritetet shtetërore belge, edhe mediat, e kishin të gjetur fajtorin: autori i krimit makabër është shqiptar. Në të njëjtin paragjykim të verbër ecën edhe shumica e mediave shqiptare që nuk reshtën së pasqyruari lajmin e kobshëm të Brukselit, duke “mitizuar” gjestin e një kinse shqiptari që paskësh bërë një krim brenda në “shtëpinë e Drejtësisë”, në zemrën e Europës. Madje, edhe u vajtua për ndëshkimet që mund të vinin për gjestin e kobshëm. Por, në momentin kur u identifikua autori, që desh Zoti të mos ishte shqiptar, ishin të pakta mediat, për të mos thënë një apo dy të tilla, të cilat e vijuan lajmin e ndodhur në Gjykatën e Brukselit duke bërë të ditur protagonistin e krimit të shëmtuar. Pjesa më e madhe nuk respektuan as standardin profesional të të raportuarit të ngjarjes, duke “kriminalizuar” në heshtje shumicën e bashkëqytetarëve të atij gjasme shqiptari që vrau e preu në mes të Brukselit. Kapërdirja në indiferencë e gjithë asaj balte që u hodh në eter apo në bojën e zezë të miliona e miliona faqeve të gazetave të mbarë botës, është shërbimi më i keq që ne i bëjmë vetes dhe kombit tonë. Por, ka edhe nga ata që nuk i përkasin as pasaportës dhe as gjakut tonë, që nuk e pranojnë heshtjen, as indiferencën, as paragjykimin dhe as padrejtësinë ndaj të pafajshmëve. Njëri prej tyre është europarlamentari belg, Bart Staes, i cili, në rastin e ngjarjes në fjalë, nuk lejoji që të “kriminalizohej” një komb i tërë për shkak të damkës së keqe. Ai reagoi duke i dërguar një letër editorit të “Euronews-it”, të cilit i kërkon publikisht që të bëjë “mea colpa” ndaj shqiptarëve pasi ata u paragjykuan në imazhet e transmetuara nga rrjeti televiziv europian ditën e 3 qershorit. Letrën që zoti Staes i dërgoi editorit të kanalit “Euronews” po ia sjellim sot lexuesit të gazetës “Albania” për një arsye të thjeshtë: ai bëri atë që duhej të bënim realisht ne më datë 3 apo 4 qershor; bëri atë që ne e kemi neglizhuar me indiferencë, si shumë e shumë raste të ngjashme, në dëm të imazhit dhe dinjitetit tonë. Reagimi i zotit Staes është një leksion i mirë për ne dhe se nuk kemi pse të gëlltitim më në heshtje fajin e paqenë dhe as të viktimizohemi prej proverbit popullor që vetë e kemi shpikur: “Më mirë syri sesa nami”.
I dashur Zoti Petër Barabas!
Prej shumë vitesh unë jam i lidhur në mënyrë aktive me çështjen shqiptare; dikur si asistent i përfaqësisë belge në Parlamentin Europian dhe që prej vitit 1999 si anëtar i Parlamentit Europian. Gjithashtu, unë kam kontakte të vazhdueshme me shumë njerëz të diasporës shqiptare në Belgjikë.
Së fundi unë dëgjova reagime shumë të ashpra nga miqtë e mi shqiptarë rreth një lajmi të dhënë nga Euronews më datë 3 qershor 2006, ora 18:43, të titulluar: “Gjyqtari qëllohet për vdekje në Gjykatën e Brukselit”.
Në atë lajm më pas ishte deklaruar se: “Një burrë ka hyrë në Gjykatën kryesore në Belgjikë, i armatosur me një pistoletë, dhe ka qëlluar për vdekje gjyqtarin dhe kancelarin e tij. Atentatori për të cilin Policia belge beson se është shqiptar, u largua thuajse i qetë, në këmbë”.
Më vonë, në mbrëmjen e 3 qershorit, autori është arrestuar nga policia dhe është identifikuar si një shtetas belg me origjinë iraniane.
Më 4 qershor 2010, drejtori i Shërbimit Federal Gjyqësor në Bruksel, Glenn Audenaert, deklaroi në VRT (televizionin flamang): “Ekzistojnë zëra rreth atentatorit se është një person me origjinë shqiptare”. Ky thashethem nuk erdhi nga policia. Unë mendoj se autoritetet duhet të kërkojnë ndjesë për këtë gabim, në respekt për komunitetin shqiptar.
Unë ndiej keqardhje për informacionin e pasaktë në edicionin e lajmeve në Euronews dhe shpresoj, zoti Barabas, se Euronews do ta ndreqë këtë gabim.
Sinqerisht i juaji
Bart Staes
Anëtar i Parlamentit Europian
16 Qershor 2010