“Luftë” në Temal, RENEA vret të dënuarin për dy vrasje
Artan CENA
SHKODËR - Vritet gjatë aksionit për t’u kapur një i shumëkërkuar. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në fshatin Temal të Malësisë së Madhe. Policia lokale, në bashkëpunim me RENEA-n, kishin organizuar një aksion për kapjen e 67-vjeçarit Lazër Palvuksani. Ai ishte dënuar me 23 vite burg për 2 vrasje të kryera disa vite më parë. Policia e Shkodrës kishte organizuar disa herë operacione për kapjen e të shumëkërkuarit, por nuk kishte mundur. 67-vjeçari rrinte në malet përreth fshatit të tij, Vilë në komunën Temal. Palvuksani disa vite më parë kishte vrarë dy persona pas një zënke të ndodhur për shkaqe pronësie. Siç është mësuar nga burime policore, i dënuari me 23 vite burg i është përgjigjur me plumba thirrjes së policisë për t’u dorëzuar. Të ndodhur në këtë situatë uniformat blu kanë qëlluar në drejtim të tij dhe si pasojë e shkëmbimit të zjarrit ka gjetur vdekjen 67-vjeçari Lazër Palvuksani.
Ngjarja
Policia dhe forcat RENEA nuk kanë arritur ta kapin të shumëkërkuarin në Malësinë e Madhe, duke e vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit. 67-vjeçari Lazer Palvuksani ishte dënuar me 23 vite burg për 2 vrasje të kryera disa vite më parë. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm në fshatin Vilë. Në rrugë operative policia kishte mësuar se një nga personat e kërkuar të rrethit të Shkodrës, Lazër Palvuksani, 67 vjeç, ndodhej në banesën e tij në fshatin Vilë në Komunën e Temalit. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, policia e Shkodrës dhe forcat speciale të RENEA-s kanë nisur operacionin për kapjen e të kërkuarit. Për të shfrytëzuar errësirën dhe befasinë që në orët e para të mëngjesit, RENEA ka rrethuar shtëpinë e të kërkuarit dhe i ka bërë thirrje 67-vjeçarit që të dorëzohet. Nga ana e tij, Lazer Palvuksanaj i është përgjigjur thirrjes së RENEA-s për t’u dorëzuar duke hapur zjarr. Ai ka nxjerrë një automatik në dritaren e shtëpisë së tij dhe ka filluar që të qëllojë në drejtim të forcave të policisë. Për disa minuta ka vazhduar një shkëmbim i ashpër zjarri ndërmjet forcave të RENEA-s dhe të kërkuarit Lazer Palvuksani.
Negociatat
Për kapjen e 67-vjeçarit Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kishte nisur dy helikopterë për të mbështetur operacionin e RENEA-s në zonë. Ndërkohë policia ka përdorur si negociatorë në këtë operacion edhe të afërmit e 67-vjeçarit, të cilët i kanë kërkuar atij që të dorëzohet, po ai është kundërpërgjigjur sërish me të shtëna armësh dhe nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i vdekur në vend i dënuari me 23 vite burg. Ai ishte dënuar dhjetë vite më parë për vrasjen e dy bashkëfshatarëve të tij. Që nga ajo kohë ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, por nuk ka rënë në duart e uniformave blu.
Aksidentet në punë, ndërrojnë jetë dy persona
TIRANË - Dy persona kanë ndërruar jetë gjatë punës. Një 40-vjeçar ka gjetur vdekjen dy ditë më parë teksa po punonte me një pompë uji në fshatin Tren, Devoll. Policia lokale tha se janë kryer veprimet hetimore procedurale. Uniformat blu kanë shkuar në vendin e ngjarjes pas marrjes së njoftimit se në qytetin e Bilishtit, në vendin e quajtur Pusi i Spiro Kaoes” është gjetur i vdekur Gurali Hoxha, 40 vjeç, banues në fshatin Tren, Devoll. Viktima kishte shkuar për të kryer montimin e një pompe uji dhe ka rrëshqitur duke gjetur vdekjen. “Nga veprimet procedurale rezulton se nuk kemi të bëjmë me vdekje kriminale, por me vdekje aksidentale. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për hetime të mëtejshme“, - thanë burimet e policisë.
Ndërkaq, dy ditë më parë, rreth orës 17:30, në fshatin Borç, Sukth, Durrës, gjatë punës në një banesë ndërtimi, është rrëzuar nga skela Shpëtim Allmeta, 32 vjeç, banues në Sukth. I dëmtuari është dërguar me urgjencë në Spitalin e Durrësit dhe më pas në Spitalin Ushtarak, Tiranë, ku me gjithë ndihmën e marrë, rreth orës 03:40 të ditës së djeshme ka ndërruar jetë. Nga hetimet e para rezulton se vdekja është aksidentale. Policia tha se është duke vazhduar puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Dosja me materialet i ka kaluar për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
Identifikohet autori i ekzekutimit të Binjakut
ELBASAN - Identifikohet autori i ekzekutimi të ndodhur në Elbasan. Siç mësohet, mbrëmjen e dy ditëve më parë në qytetin e Elbasanit është ekzekutuar me armë zjarri pistolete një 31-vjeçar. Viktima është Sajmir Binjaku, bashkëpronari i një hoteli në këtë qytet. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:40 pranë një qendre interneti në kryqëzimin e Cërrikut. Sipas burimeve të policisë, nga hetimet paraprake rezulton se atentati mund të jetë kryer për shkak të konflikteve të viktimës disa vite më parë, kohë kur 31-vjeçari ka qenë emigrant në Itali. Disa vite më parë është ekzekutuar edhe vëllai i tij në shtetin fqinj, duke e drejtuar pistën e hetimeve drejt hakmarrjes. Policia bën të ditur se ka identifikuar autorët dhe po heton për kapjen e tyre, por emrat nuk janë bërë të ditur për arsye hetimi. Vrasësi mësohet se ka qenë i maskuar gjatë momentit të ekzekutimit, e ka gjetur Binjakun duke luajtur në kompjuter dhe e ka qëlluar me 10 plumba me një pistoletë me silenciator. Më pas ai është larguar në errësirë pasi është siguruar se viktima kishte vdekur. Policia vazhdon kërkimet për gjetjen e autorit tashmë të identifikuar.
Gjendet i varur 50-vjeçari i divorcuar
DURRËS - Një 50-vjeçar është gjetur i vetëvaruar publikisht në vendin e quajtur “Vollga” në Durrës. Kanë qenë kalimtarë të rastit që kanë parë një trup njeriu i varur në një konstruksion metalik në shëtitoren “Vollga”, pranë bregut të detit. Menjëherë është sinjalizuar policia që pas këqyrjes së trupit konstatoi se viktima është i seksit mashkull, ende i paidentifikuar për shkak të mungesës së dokumenteve. Në orët e drekës policia ka mundur të identifikojë viktimën, i cili ishte Shpëtim Agolli, 50 vjeç, nga Durrësi. Burime zyrtare nga uniformat blu thanë se, “në vijim të informacionit të dhënë për ngjarjen, ku gjatë orëve të para të mëngjesit u gjet i varur një qytetar i paidentifikuar, rreth orës 11:20, nga të afërm të tij është bërë identifikimi i shtetasit në fjalë. Ai mësohet se është Shpëtim Agolli, 50 vjeç, banues në Lagjen Nr. 1 Durrës, i divorcuar, me dy fëmijë”. Policia ende nuk ka zbuluar shkaqet e vërteta të kësaj ngjarjeje. Burimet zyrtare thanë se janë duke vazhduar punën për sqarimin e rrethanave të vetëvrasjes.
16 Qershor 2010