E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspozitë me 1600 viktima të burgjeve e pushkatimeve

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Përkujtohen me një ekspozitë fotografike viktimat e komunizmit në Vlorë. Janë rreth 1600 persona të cilët nuk jetojnë më për shkak se janë pushkatuar, kanë vdekur në burgje apo në kampe internimi. Por sot ata kujtohen si martirë të demokracisë. Fotografitë e tyre u ekspozuan dje në një nga sallat e Universitetit të Vlorës, ndërsa familjarë, të afërm, drejtues të pushtetit vendor, etj., nderuan edhe një herë viktimat e komunizmit. Kjo është ekspozita e parë e hapur në nderim dhe kujtim të së pushkatuarve dhe dënuarve nga diktatura. Në 50 stenda ishin vendosur fotot, të cilat janë vizituar edhe nga qindra banorë të Vlorës. "Të gjithë personat, fotot e të cilëve ndodhen në stendat ekspozuese kanë qenë viktima të pushkatimit, internimit, burgjeve, apo të arratisë jashtë kufijve të vendit. Ekspozita e cila do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë verës, do të tentohet të krijohet në trajtën e një muzeumi për martirët që u vranë nga diktatura", u shprehën organizatorët. Fotografitë e të rënëve në vitet e komunizmit u vendosën në sallën 100A të Universitetit "Ismail Qemali". Në çeljen e kësaj ekspozite, përveç shumë familjarëve të personave të pushkatuar, burgosur e dënuar nga diktatura komuniste, kanë qenë edhe drejtues të Partisë Demokratike, si dhe të asaj për Drejtësi dhe Integrim ku i pranishëm ishte deputeti i sapozgjedhur i Vlorës, Dashamir Tahiri. Gjithashtu, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të së përndjekurve politike, kryetari i ballit kombëtar, Adriatik Alimadhi si dhe autoritete të tjera. Familjarët e viktimave të komunizmit bënë një retrospektivë historike për vuajtjet e kohës, duke theksuar se: "Ata ishin kundër urrejtjes dhe hakmarrjes. Kaluan ferrin komunist. Trastat dhe fëmijët në shpinat e grave, nënave dhe motrave ishin më të rënda se prangat në duart dhe këmbët e të burgosurve. I vranë, i burgosën dhe i fundosën, por ata dolën mbi sipërfaqe, se mbijetesa është virtyt i fisnikërisë". Shumë prej të pranishmëve treguan vuajtjen që kanë kaluar nga diktatura, përndjekjen dhe internimin. Shumë prej tyre kishin baballarë në foto, por kujtimi i tyre u ka mbetur si një imazh i largët. Ata nuk arritën të gëzojnë ditë të demokracisë me familjarët e tyre, të cilët sot prehen duke u përkujtuar si martirë. Disa të tjerë nuk arritën t'i njohin kurrë familjarët e tyre. Ekspozita u organizua nën drejtimin e Z. Shaban Xhyheri dhe Z. Fahri Shaska, përfaqësues të së përndjekurve dhe do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë verës, me qëllim që të gjithë të kenë mundësinë të njohin portretet dhe emrat e atyre që vuajtën dhe u shuan nga regjimi komunist. Të pranishmit u përshëndetën nga shumë figura, historianë, ish të përndjekur dhe autoritete drejtuese në Vlorë. Kreu i PD-së së Vlorës, përfaqësuesi i qarkut, Agron Sharra, deputeti i PDI-së Dashamir Tahiri, si dhe kryetari i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi vlerësuan këtë nismë, e cila sipas tyre i vlen historisë së demokracisë në vend. Ekspozita e viktimave të komunizmit në Vlorë është e para e hapur në këtë qytet, e ndoshta në gjithë Shqipërinë specifikisht me këtë tematikë. Në takim morën pjesë rreth 400 persona dhe fotot u vizituan gjatë gjithë ditës nga shumë qytetarë të Vlorës, nxënës të shkollave dhe studentë të universitetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›