E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, atentat ish-rojës së Kosenit

 

Aldo Kozarja

Ish-truproja i Edmond Kosenit, Roland Rexhepi, i njohur me pseudonimin “Doda”, u ekzekutua me armë dje në mëngjes në qendër të Elbasanit. Polici 42-vjeçar që kishte punuar edhe si agjent i Antidrogës, humbi jetën në një ngjarje të ngjashme me atentatin ndaj Corrado Katanit, shfaqur në filmin “Oktapodi”. Roja i ish-drejtorit të Policisë së Elbasanit, Edmond Koseni, u vra sapo ka dalë nga bari ku kishte pirë kafen e mëngjesit në orën 08:20, në lagjen “Vullnetari” pranë banesës së tij në Elbasan. Ish-agjenti po lëvizte drejt makinës së tij tip “Opel” ngjyrë vishnje, kur dyert e pasme të një furgoni të bardhë pa targa, i parkuar në vendngjarje prej tri ditësh, janë hapur. Prej andej ka zbritur një person i maskuar, i cili është afruar në drejtim të Roland Rexhepit. Vrasësi ka qëlluar disa herë me armë mbi 42-vjeçarin, kur ndodhej në një distancë të afërt me viktimën. Ish-agjenti i antidrogës është rrëzuar përtokë ndërsa ekzekutori ka ecur rreth 15 metra në këmbë derisa ka mbërritur te vendi ku e priste një motor, buzë rrugës kryesore. Drejtuesi i motorit ka qenë me skafandër në kokë ndërsa vrasësi i “Dodës” me maskë. Për të ngjallur panik te banorët, vrasësi ka qëlluar 4-5 herë në ajër teksa po largohej nga vendi i ngjarjes me motor. Të parët që mbërritën në vendin e ngjarjes, ishin të afërm e të njohur të “Dodës”, të cilët nisën viktimën për në spital por 42-vjeçari nuk arriti të mbijetojë. Roland Rexhepi ishte i martuar dhe babai i tre fëmijëve. Atentati ndodhi në një vend publik në mes të qytetit të Elbasanit. Skena e krimit është parë nga dhjetëra dëshmitarë, të cilët gjithsesi nuk kanë arritur të identifikojnë autorët e ngjarjes të maskuar me kapuçë dhe skafandra.   
Atentati për hakmarrje
Menjëherë pas lajmërimit në sallën operative të policisë së Elbasanit, në vendin e ngjarjes ka mbërritur kryepolici i rrethit Aleksandër Hajdari dhe prokurori i Elbasanit Elvin Goga. Ekspertë të hetimit të krimeve në policinë e Elbasanit dhe hetues të mbërritur nga Tirana, kanë marrë në dorë hetimin e atentatit, duke filluar me vendin e ngjarjes. Në perimetrin e 25 metrave nga vendi ku ndodhej kufoma e 42-vjeçarit, të njohur me emrin “Doda”, është gjetur një armë tip pistoletë, një skafandër motori dhe një kapuç i zi në formë maske i hapur në pjesën e syve. Këto materiale, si dhe gëzhojat në skenën e krimit, kanë qenë provat kryesore që arriti të grumbullojë policia e Elbasanit në lidhje me ngjarjen e rëndë ndodhur në mes të qytetit. Burime të policisë lokale në Elbasan thonë se ekzekutorët e “Dodës” mund të kenë qarkulluar të paktën tri ditë në lagjen ku ai banonte, pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, për të ndjekur lëvizjet e viktimës. Pistat kryesore që po hetohen nga policia lidhen me një hakmarrje të mundshme për një krim ku dyshohet se është implikuar vëllai i viktimës, si dhe ekzekutimi i 42-vjeçarit për shkak të detyrës si polic, deri para tri viteve e së fundi si roje sigurie në tribunën VIP te stadiumi “Ruzhdi Bizhuta” në Elbasan. “Doda” kishte punuar si agjent i Antidrogës në policinë lokale të Elbasanit ndërsa më vonë ishte angazhuar edhe në sektorin e hetimit të krimeve.

Ish-shoferi i Kosenit që iku nga policia prej reformës në ‘07
Elbasan - Roland Rexhepi, 42-vjeçari i ekzekutuar mëngjesin e djeshëm në Elbasan, njihej me nofkën “Doda”, pseudonim që e kishte marrë që kur ishte i ri. “Doda”, siç njihej nga elbasanasit, kishte nisur punën në Komisariatin e Policisë së qytetit të tij në vitin 1994. Në mars të vitit 1998, kohë kur në krye të policisë së Elbasanit u vendos Edmond Koseni, Doda, do të ishte pjesë e eskortës së tij, e cila përbëhej nga katër vetë, njëri prej të cilëve, që bënte rolin e shoferit ishte Xhaferr Elezi. Gjatë kohës që Rexhepi ka qene pjesë e eskortës së Kosenit ka pasur një sërë problemesh me banorët e Elbasanit, por dhe jashtë tij, pasi arroganca e Kosenit detyronte badigardët të përdornin dhunë ndaj njerëzve të pa fajshëm. Por jo vetëm kaq, edhe mes njëri-tjetrit badigardët e Kosenit janë përplasur disa herë dhe më e rrezikshmja do të ishte grindja midis Dodës dhe Elezit. Në dhjetor të vitit 2001, pak ditë para se të Koseni të pushohej nga puna, Doda u dhunua në komisariat në mënyrë çnjerëzore nga Elezi dhe u pezullua nga detyra. Por largimi i Kosenit do të ishte fundi edhe për Elezin, i cili kur u arrestua në mars 2002, do të vuante dhunën që i kishte dhënë ish-shokut të vet. Pas kësaj Doda arriti të mbijetojë në radhët e policisë së Elbasanit, duke punuar në sektorin e krimeve. Në vitin 2006, ai ishte pjesë e sektorit të antidrogës, derisa në vitin 2007 doli në reformë dhe detyrohet të punojë deri në fund të jetës së tij si agjent i sigurisë në tribunën VIP të stadiumit “Ruzhdi Bizhuta”.

Atentati, 25 dëshmitarë në policinë e Elbasanit
Elbasan – Forca të shumta të policisë kanë ngritur menjëherë dhjetëra postblloqe në qytetin e Elbasanit pas vrasjes së Roland Rexhepit. Ndërkohë është bërë edhe kufizimi i vendit të ngjarjes, ku policia ka gjetur të paktën 25 persona, të cilët janë shoqëruar menjëherë në drejtorinë e Elbasanit për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen. Burime zyrtare nga policia lokale thanë se kanë shoqëruar rreth 25 persona, të cilët janë marrë në pyetje disa orë. Një pjesë e dëshmitarëve thanë vetëm se kishin parë një person të maskuar që u afrua te “Doda” dhe qëlloi me armë. Ndërkaq dëshmitarë të tjera kanë dhënë pohime, sipas të cilave, ish-agjenti 42-vjeçar i policisë është qëlluar me armë të paktën 16 herë. Dëshmitarët kanë pohuar se pas ekzekutimit të ish-oficerit të policisë, i njohur për disa konflikte të dhunshme në Elbasan, ekzekutorët kanë qëlluar edhe disa herë në ajër në largim e sipër nga vendi i krimit. Policia e Elbasanit ka kryer dje disa kontrolle banesash të personave të dyshuar, por mësohet se ende nuk ka emra personash konkretë të dyshuar për autorësinë e krimit. Hetuesit janë duke verifikuar një sërë ngjarjesh në të cilat ka qenë protagonist ish-truproja i Edmond Kosenit, përshfirë edhe disa incidente të dhunshme me banorë të ndryshëm të qytetit të Elbasanit.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›