E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kur negocioja në Argjentinë për të nxjerrë Popajt nga ambasada në Tiranë”

 

Piro Andoni

Unë isha në Argjentinë kur Evropa ziente nga Lufta e Ftohtë dhe Amerika Latine lëngonte nga grushtet e shtetit. Të bëje diplomatin në këto kushte ishte e vështirë, por jo e pamundur.Sidoqoftë, misioni i përfaqësuesit të Shqipërisë në rajonin e largët, ku terrori i juntës ushtarake ishte pjesë e përditshmërisë, përveç sakrilegjit, më ofroi mjaft përjetime të veçanta, të cilat i hodha në ditar për t’ia falur kujtesës. Në shënimet e asaj periudhe, ka ngjarje, mbresa, biseda, përshkrime e përshtypje nga takimet me personalitete politike e publike, me njerëz të shquar dhe emra të mëdhenj, me të cilët pata rastin të ndaj së paku diçka njerëzore atje larg në fund të botës. Përtej raporteve zyrtare nga vendi i juntës ushtarake për shtetin e diktaturës së proletariatit, kjo pjesë e kontakteve njerëzore, mbetej më interesantja dhe gjithsesi e bukur. E ndjej këtë sidomos tani kur u bënë goxha vite, që jam larguar nga ato vise “ku piqet buka në diell”. Prandaj u rikthehem herë pas here kujtimeve të atyre ditëve...
Takim me Arturo Frondisin
Arturo Frondisi ka qenë president i Argjentinës në vitet 1958-1962. Në kohën kur u takova me të ishte afër të ’80-ve. Një burrë i gjatë, i shëndoshë, me trup të drejtë e vështrim të kthjellët. Elokuent, intrigues në bisedë, Frondisi të bënte për vete që në fjalët e para. Ai, falë inteligjencës, nuk është shmangur nga jeta politike, pavarësisht se i ka munguar skenës së saj hapur. Për t’u njohur me të, më shtyu një kërkesë e Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme, që personalitete të ndryshme, me peshë në jetën politike të vendit të ndërhynin pranë qeverisë italiane për problemin e Popajve. Ata kishin hyrë në ambasadën italiane në Tiranë dhe duhet t’u dorëzoheshin autoriteteve shqiptare. Duke kërkuar mendim se cili mund të ishte personi, që mund të ndihmonte në këtë çështje, më thanë disa miq të mi, se i vetmi nga politikanët argjentinas, që ka ndikim në Ministrinë e Jashtme italiane është Arturo Frondisi. Sapo hyra në bisedë me të, më befasoi me njohuritë që kishte për vendin tonë. Disa pyetje dhe interpretime të tij tregonin se Frondisi dinte se ku binte Shqipëria. Në një rast më tha se: “është e lavdërueshme ajo që po bëni ju. Por mua më duket shumë e vështirë, madje e pamundur. Nuk besoj se do t’i rezistoni për shumë kohë. Bota ka dy pole dhe brenda tyre vërtiten të gjitha kombet. Ju jeni të detyruar të rrotulloheni bashkë me ta, jashtë kësaj orbite nuk mund të dilet. Megjithatë në këtë shekull ka edhe çudira!”, - tha me ironi. Lidhur me temën për të cilën unë isha i interesuar, Frondisi tregoi dashamirësi. Mu zotua se do të ndërmjetësonte pranë ministrit të Jashtëm të Italisë, por e shikonte si një problem të vështirë, që nuk mund të zgjidhej me ndërhyrje të kësaj forme. Rregullat dhe marrëdhëniet midis shteteve, si dhe historia e ngjarjeve të kësaj natyre, tregonin se asnjë prej tyre nuk ishte zgjidhur në formën që kërkonim ne. Më tregoi një rast, kur diku në një vend të huaj një kolumbian ishte futur në ambasadë dhe ishte dorëzuar pas 8 vjetësh. Disa ditë më vonë më mori në telefon dhe më ftoi të bisedonim rreth problemit për të cilin i kisha kërkuar ndihmë. Frondisi ishte i qeshur dhe bujar në takim. Karizma e tij ishte e rrallë dhe në pak çaste ai të bënte për vete. “Temën e nisëm para ca ditësh dhe sot do të “kritikoj” pak, më tha, duke më hedhur krahun mbi supet e mia. Duhet të jeni pak më të urtë, sidomos me fqinjin tuaj më të afërt. Çështja është bërë alarmante, përse? Për 5 vetë. Kaq keq jeni ju sa të kërkoni t’ua dorëzojnë ata? Unë e kuptoj çështjen, por pikërisht këtë po shfrytëzon bota sot, sidomos fqinjët tuaj, që dhe ju të integroheni në planetin tonë. Të izoluar nuk mund të përparoni. Më fal që të flas kështu, por të konsideroj një mik, dhe me mikun duhet folur hapur. Isha për vizitë në Kore para një viti. Kim Mir Seni filloi të më fliste për Leninin, ai kujtoi se unë nuk e njihja. Vura re se në dy-tre raste bëri shtrembërime. Nuk mu durua. Iu ktheva, duke dhënë opinionin tim dhe hapur i thashë se e njihja mirë qëndrimin e Leninit. Kim Mir Seni u ngrit dhe më përqafoi. Ai më tha: “Nuk mendoja se një udhëheqës perëndimor do ta njihte kaq mirë teorinë e Leninit”. Prandaj po ta them, i dashur ambasador, t’i lini ata të shkojnë në Itali, kështu do të qetësohen gjërat. Për ne që jemi një vend me pasuri të pallogaritshme, me një territor të pafund, në një pozicion gjeografik që nuk kemi nevojë për fqinjët, na duket e pamundur jetesa jashtë lidhjeve të domosdoshme ekonomike, tregtare dhe politike. Kjo për ju, ma merr mendja mua që është shumë herë më e domosdoshme. Kam një jetë të tërë që ia kam kushtuar politikës. Edhe sot më angazhojnë institucione si Instituti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, për të folur rreth zhvillimeve politike në këtë botë, e kryesisht në Amerikën e Jugut. Në praktikën time kam zbatuar kurdoherë këtë parim: “T’i them gjërat hapur, me gjuhën e diplomacisë, por me kuptimin e tyre të vërtetë. Ndoshta do ta keni pak të vështirë, por më vonë gjërat do të zbuten dhe do të futen në rrugën e mirëkuptimit”. Frondisi u ndal këtu. Më ftoi në tavolinën e tij, ku hante drekë, për ta kaluar së bashku. Ishte kënaqësi të bisedoje me të. Erudicioni i mendjes së tij të linte pa mend. Qartësia me të cilën i shpjegonte gjërat, kompetencat dhe argumentimi i tyre, flisnin qartë për personalitetin që  gëzon me meritë, për një autoritet të padiskutueshëm. Në kohën kur ministri i Punëve të Jashtme, Reis Malile, erdhi në Argjentinë, Frondisi ishte i ftuar nderi në Ambasadë. Ai zhvilloi një bisedë të përzemërt me Reisin. I kujtoi ministrit tonë edhe temën e sapotrajtuar më lart, si edhe mendimet e tij. Reisi, me aftësinë prej diplomati të zgjuar, e ftoi atë të vizitonte vendin tonë. Por, për fat të keq, ngjarjet që erdhën pas atij viti (Dhjetor 1990) përmbysën çdo gjë, përveç parashikimeve të Arturo Frondisit, të cilat ne i shkruanim në ditarët tanë, por rrallë raportonim, për arsyen e vetme se na i keqinterpretonin.
Një ditë më vonë, kur po bënim muhabet lirisht me ministrin tonë, më tha: - “Mirë e ka Frondisi, por ai flet që nga Argjentina, nuk e di se ç’halle kemi ne. Megjithatë është një burrë i shquar dhe mendimtar i zoti në politikë. Dhe mu bë qejfi se ty të donte. Dëgjova një mendimtar të madh të më fliste me simpati për Shqipërinë”.
Në Nikaragua
Për të shkuar nga Buenos Airesi në Nikaragua, duhet të ndjekësh një rrugë të gjatë. Përfundimisht, nisja për në këtë vend, që konsiderohet bastioni i pamposhtur i luftës kundër imperializmit, do të bëhet nga Panamaja, ku kemi arritur një natë më parë. Zumë vend në hotel “Europa”. Na folën disa çaste për sigurinë e brishtë. Nga këshillat që më mbetën në kokë ishte dhe kjo: “Nata këtu sjell rreziqe, mundohuni të mos lëvizni në vende të dyshimta...”. Aty për aty më erdhën në mendje disa episode, që na i tregonte vite me parë kolegu ynë, Labo Abazi, për incidente të ndryshme nëpër parqe e në rrugë me njerëz që tentonin të grabitnin. Kur na i tregonte Labua, na dukeshin si përralla, ndërsa sot që e prekim këtë realitet, ndiejmë se si mund të bëhemi objekt i ndonjë sulmi. Shkuam herët në hotel dhe nuk dolëm fare atë natë. Në orën 05.00 të mëngjesit bie zilja e telefonit. Zëri tërheqës i një gruaje dëgjohet matanë receptorit: “Mirëmëngjes zotëri, besoj se ju shqetësova në një kohë, kur ishit duke përfytyruar gjëra të bukura, por avioni iu pret për të nisur një udhëtim të ri. Faleminderit!”. Në hyrje të hotelit na priste makina. Nisemi për në aeroport. Jashtë bie shi. Temperatura është 20 gradë. Shoferi na tregon se në këtë vend rrugët i lan çdo ditë shiu, ndaj nuk përdoren makina për larjen e tyre. Avioni është plot. Stacioni i ardhshëm do të jetë San Hose i Kosta Rikës. Pasi zbritëm atje, dëgjuam zërin e spikeres të thotë: - “Udhëtarët që janë për në Salvador, Honduras, do të kalojnë në një avion tjetër. Në avion mbetëm vetëm 5 vetë, nga të cilët dy ishim shqiptarë. Arritëm në aeroportin “Sandino”, ku kanë dalë të na presin përfaqësues të revolucionit sandinist. Nga salla e pritjes nisemi për në hotel “Internacional”. Nga dritaret e tij dukej kryeqyteti, Managua, mbuluar me gjelbërim. Larg duken dy-tri kulla të larta që, siç na treguan më vonë, janë të vetmet që i kanë shpëtuar tërmetit shkatërrues.  Rrugët janë të mbushura me njerëz. Të veshur shumë thjesht, me një palë pantallona, kanotiere, apo ndonjë bluzë me mëngë të shkurtra, me një palë shapka, disa zbathur fare, të grumbulluar në turma, kanë nisur këngët dhe manifestimin. Pikërisht në këto rrugë, 7 vjet më parë, forcat revolucionare të vendit zhvilluan luftime kundër regjimit diktatorial të Anastasio Somozës, një nga figurat më gjakatare të këtij vendi...
      18 korrik 1986
Dita e dytë e Nikaraguas. Në program është një vizitë në Ovedo, vendi i një vullkani në aktivitet. Afro 20 vjet më parë, ky vullkan mbuloi me llavë mbi 10.000 ha tokë. Nga thellësitë e vullkanit ngrihen shtëllunga tymi që të ngjallin frikën. Shoqëruesi na tregon se regjimi i Somozës e kishte kthyer këtë vend në një varrezë gjigande, ku zhdukte kundërshtarët e tij. Edhe gjatë ditëve kur ne ndodheshim aty, ekspertët mundoheshin të identifikonin më se 20 skelete të sapo nxjerra nga thellësitë e tij. Vizitojmë edhe qytetin e Masayes. Një vend i zhytur në gjelbërim dhe varfëri. Banorët e tij duken që jetojnë në kushte shumë të vështira. Ata shpresojnë shumë te regjimi i ri i Norieges, shpresojnë të çlirohen nga varfëria dhe mizerja. Në darkë u dha një koncert qeveritar. Në qendër të tij ishte fitorja e revolucionit mbi diktaturën. 
19 korrik 1986
Sot është përvjetori i revolucionit Sadinist. Zgjimi bëhet herët në mëngjes. Festimet do të zhvillohen në një vend 35 km larg kryeqytetit, aty ku dikur forcat revolucionare kanë goditur ushtrinë e Somozës. Delegatë nga vende të ndryshme, përfaqësues të lëvizjeve të majta në Amerikën Latine, në krye të së cilave ishte përfaqësuesi i Kubës, nisen drejt vendit ku do të zhvillohen ceremonitë e përkujtimit të revolucionit që përmbysi diktaturën. Rrugës për në vendin e festës ka roje. Konflikti me Hondurasin i ka vënë në gatishmëri forcat e revolucionit. Është një stadium natyral, ku mund të qëndrojnë 30-40 mijë njerëz. Të parët që kishin arritur atje kishin udhëtuar nga 12 orë, duke u nisur nga qytete të ndryshme të vendit. Një atmosferë entuziazmi dhe optimizmi duket në sytë e njerëzve. Në tribunë ngjiten udhëheqësit e revolucionit, të 12 djemtë e shquar të Nikaraguas, të prirë nga Daniel Ortega. Stadiumi ndizet nga brohoritjet. “Patria o Merte! Viva la revolucion!, Viva Daniel Ortega!, Ortega, Ortega!” Temperamenti i këtyre njerëzve është diçka e rrallë për ne që ndeshemi për herë të parë me ta. Ky entuziazëm dhe guxim masiv na befasoi, kur morëm vesh se jo më shumë se 80 km larg që këtej ishte fronti i luftës. Të rinj e të reja, burra, pleq, fëmijë, të gjithë ishin përfshirë nga krenaria dhe besimi për të ndryshuar vendin, për të ecur përpara. Foli Ortega. Fjala e tij i ngjante një bashkëbisedimi me popullin. Në orën 19.30 të darkës u organizua pritja për nder të revolucionit Sandinist. Ajo u bë në pallatin e ish-diktatorit Somoza. Ishte një parajsë e vogël brenda një qyteti, ku sundonte uria dhe mizerja. Asgjë nuk i mungonte kësaj parajse. Luksi ishte pleksur me argëtimin. Përballë dukeshin pishinat e banjat sauna, sallonet mondane, armët e gjithfarëllojshme, e deri tek ujëvarat ku improvizohej Niagara, për t’i krijuar diktatorit një mikroklimë sa më të shëndetshme. Në mes kësaj të këtij mjedisi kalojnë e takohen me njerëzit komandantët e revolucionit. Takohemi me disa prej tyre. Beyardo Arce Castan, një burrë i ri, rreth të 40-ve, me një mjekër simpatike. Ai u ndal me ne disa minuta. “E njoh vendin tuaj. Kam lexuar dhe më kanë folur edhe të tjerë për politikën që ndiqet prej Shqipërisë. Më pëlqen se populli juaj e mbron me heroizëm lirinë”. Pas pak afrohet Tomas Borge, një tjetër nga të 10-ët e revolucionit. “Shqipëria nuk na ndihmoi me armë, megjithatë edhe fjala e saj është një përkrahje e madhe për ne”. Ishte një e vërtetë. Në politikën e qeverisë sonë dukej si një fill i kuq përkrahja ndaj të gjitha lëvizjeve për pavarësi kundër ndërhyrjes nga jashtë. Para se të shkonim në Nikaragua, na ishte theksuar: “Kujdes, nëse shokët e Nikaraguas do të prekin çështjen e ndihmës me armë, mundohuni t’i sqaroni se vendi ynë nuk ndihmon askënd me armatime dhe është kundër dërgimit të tyre”. Në këtë mbrëmje takuam shumë miq e simpatizantë të vendit tonë: afrikanë, aziatikë, rumunë, kongolezë, latino-amerikanë, spanjollë, deri tek ata të Surinamit. Folëm me ta e diskutuam për mjaft çështje. Ora kaloi nga tre e mëngjesit. Në ambientet e pallatit të Somozës, dukej sikur sapo kishte filluar festa. Ne na duhet të largohemi”.
Bashkëkombësit
Na ftoi një ditë në shtëpinë e saj në La Plata Aneta Nikolla. Ishte e moshuar dhe kishte disa vite që ishte paralizuar. Burri i saj kishte vdekur vite më parë. Aty mësuam se ishte kjo shqiptarja, e cila kishte qëndisur flamurin e parë kombëtar që ishte vendosur në selinë e shoqërisë patriotike ”Skënderbeu”. Jetonte e vetme, me ndihmën e një gruaje, e cila i shërbente. Ëndrra e saj ishte të kthehej në Shqipëri ku kishte disa kushërinj të saj në Vlorë. Këtë kërkesë të saj, më herët mua ma kishte sjellë në vëmendje dhe një funksionar i rëndësishëm në Tiranë. Ai ende pa ardhur me mision në Argjentinë më ishte lutur të bëja ç’është e mundur për t’i ardhur në ndihmë kësaj gruaje të moshuar. Sidoqoftë t’i vije në takim kësaj gruaje të vuajtur, nuk ishte e lehtë. Të ktheje një të paralizuar në Shqipëri, madje tek kushërinjtë e saj, as tek familjarët, kjo më bënte të isha i rezervuar. Megjithatë, nxitja e Aneta Nikollës më bëri të jap  ndihmën time për ta riatdhesuar. Bëmë procedurën zyrtare dhe duke i siguruar dhe një shoqërues, njërin ndër veprimtarët e shoqërisë patriotike, e sollëm në Vlorë. Nga sa mora vesh më vonë, gjërat nuk kishin shkuar siç ishin parashikuar. Gjithsesi Anetës iu përmbush dëshira për të vdekur në vendin e saj. Një rast tjetër ka të bëjë me vëllain e Haxhi Dervishit, Novruzin, i cili sa herë e vizitonim në shtëpinë e tij e kthente në festë dhe mundohej të na kënaqte me çdo gjë. Mbante një relikte të shenjtë në shtëpinë e tij, të cilën e ruante si sytë e ballit prej më shumë se 50 vitesh. Kur ishte as 16 vjeç, në kohën kur nëna e tij e përcolli tek Lëndina e Lotëve, i vuri me vete një palë çorape të leshta, të cilat e porositi t’i veshte e t’i lante me duart e tij. Novruzi tregon: “Këto çorape nuk i kam veshur asnjëherë, por i prek e i ve nën kokë sa herë që fle. Atje shoh mëmën time, duart e saj të rreshkura nga dielli dhe fytyrën e vrarë nga malli”. Më ka qëlluar dhe një rast tjetër një histori e tillë me relikte të kësaj natyre. Diku në shënimet e mia e kam shkruar me mbishkrimin “Shamia e Jorge Dhrosos”. Një shami e thjeshtë me vija jeshile e të kuqe, me dy bishta të lidhur si të fshihte diçka brenda. Jorgo Dhroso ishte një burrë rreth të 50-ve. Një ditë më tregoi se këtë shami me disa monedha brenda e kishte kujtim nga i ati. “Ai, më tregonte Dhrosua, zgjidhte cepin e saj dhe na jepte ndonjë peso për karamele. Ma fali para se të ndërronte jetë. Mbaje, më tha, shtrëngoi fort monedhat dhe jepu fëmijëve sa herë të të kërkojnë diçka. Siç e mora vesh më vonë babai i Jorgos e kishte dhuratë nga i ati i tij”….

Ditari i ambasadorit Piro Andoni me kujtimet nga Argjentina e largët

Kujtimet e Piro Andonit nga periudha kur ishte ambasador në Amerikën Latine, sjellin një panoramë interesante nga roli i diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë së Enver Hoxhës në epokën e Luftës së Ftohtë. Si diplomat i zgjedhur nga korpusi i gazetarëve të “Radio Tirana”, Andoni, ka ditur të shfrytëzojë në maksimum hapësirat që krijonte detyra e ambasadorit në një vend të largët e të njohur pak nga shqiptarët. Pikërisht në orët e qeta, pa ngarkesë takimesh e protokollesh zyrtare, ish-diplomati nga Vunoi i Himarës nuk ia lejoi vetes komoditetin e një jete të mbushur vetëm me shëtitje e vizita turistike. Në kohën kur kolegët e tij, afrikanë, aziatikë, apo evropianë, shijonin bukuritë e veçanta të Amerikës Latine, Andoni lexonte dhe përkthente autorë latino-amerikanë, mbante shënime në ditar, duke qenë i vetëdijshëm se në këtë mënyrë do të ishte më i dobishëm për veten dhe vendin e tij. Fati dhe dëshira për të njohur njerëzit e shquar të këtij rajoni e kanë çuar në takime të rralla me figura të njohura për lexuesin shqiptar si Erneste Sabato, apo futbollistin e madh brazilian, Sokrates. Vështrimi i tij gazetaresk rrok njëherësh hapësirat e pafund në Argjentinë, fikson pamje mahnitëse të Brazilit, Nikaraguas e Kilit, por nuk injoron as narkotrafikantët e Kolumbisë. Në ditarin e ambasadorit parakalojnë edhe figurat e njohura të politikës argjentinase dhe vendeve të tjera të rajonit, ish-presidentë e ministra, deri te lideri i komunizmit kuban, Fidel Kastro. Një vend kryesor në kujtimet e Andonit zënë shqiptarët e Argjentinës, si komuniteti më i madh në Amerikën Latine, por edhe të tjerë, që fati i çoi në këto vende të largëta. Për herë të parë, në faqet e ditarit të Andonit zbardhet e vërteta e një prej dokumenteve sekrete më të komentuara në shtypin shqiptar gjatë 10 viteve të fundit, i cili flet për lidhjet e CIA-s me ish-kryeministrin, Mehmet Shehu. Andoni është i bindur në origjinalitetin e fakteve komprometuese, pasi ka qenë dëshmitar dhe protagonist në zbulimin e dokumentit dhe dërgimin e tij në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.                                                                                              Af.im.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›