Mjeku i arrestuar për korrupsion: Prokuroria ka tejzgjatur hetimin
TIRANE - Agim Karaj, mjeku i penalizuar për “korrupsion”, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për përfundimin e hetimeve. Kërkesa e tij pas shortit elektronik i është dorëzuar gjykatësit Artan Broci, ndërsa objekti i saj është kundërshtimi i vendimit të prokurorisë për zgjatje të afateve të hetimit të çështjes. Sipas mjekut, prokuroria ka konsumuar të gjitha afatet ligjore për hetimin e kësaj çështjeje, ndaj dosja duhet të dërgohet në gjykatë. Seanca e parë e procesit mësohet se ka dështuar për mosparaqitje të palës së paditur, ndërsa seanca e radhës do të jetë mesditën e sotme. Agim Karaj, shefi i Kirurgjisë së Onkologjikut u prangos më 3 nëntor të vitit të kaluar, i akuzuar për marrje ryshfeti nga qytetarët në këmbim të operacioneve kirurgjikale. Prangosja e tij u bë në bazë të një urdhërarresti të lëshuar në mungesë nga Gjykata e Tiranës një ditë më parë. Por gjatë seancës së vlerësimit të masës së sigurisë, Gjykata e Tiranës vendosi ta hiqte arrestin e caktuar në mungesë dhe ta linte të lirë kirurgun. Një muaj më vona Gjykata e Apelit e kryeqytetit vendosi “arrest në burg” për mjekun, i cili për t’iu shpëtuar prangave u largua jashtë shtetit. Më pas Gjykata e Lartë e hoqi masën e sigurisë, ndërsa po vazhdojnë hetimet për mjekun. Burime të prokurorisë së kryeqytetit pohojnë se tashmë hetimet në ngarkim të mjekut ndodhen në fazën përfundimtare dhe se brenda pak ditësh, dosja në ngarkim të tij do të dërgohet në gjykatë. fa.ma.