E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vllaznia, për prestigj ndaj Rapidit të rezervave

 

Tashmë është e qartë se skuadra e Vllaznisë do të luajë sot përballë Rapidit vetëm për prestigj. Humbja e thellë 5-0 një javë më parë, në Austri ndaj kësaj skuadre, ka shuar çdo shpresë të kuqebluve për të pretenduar për të kaluar për më tej. Kështu që takimi i sotëm për kuqeblutë e drejtuar nga Hasan Lika përveç se një formalitet, në krahun tjetër është një ndeshje prestigji dhe asgjë më shumë. Sikurse pritej, trajneri i Rapidit, Peter Pakult, do të luajë sot në “Loro Boriçi” me formacionin e dytë të Rapidit dhe jo me atë 11-she që luajti në Vjenë më 16 korrik. Pas fitores së thellë 5-0 të hipotekuar në takimin e parë në stadiumin “Hanapi”, numri një i stolit austriak nuk e vë në dyshim kualifikimin për në turin e tretë të Ligës së Evropës, prandaj ka vendosur të lërë pushim titullarët e tij dhe t’u besojë nga minuta e parë vetëm futbollistëve të rinj. Sipas teknikut Pakult, takimi i sotëm me Vllazninë do të shërbejë më tepër si një test për të rinjtë, të cilët pretendojnë të veshin në të ardhmen fanellën e titullarit të Rapidit. Në fakt, mungesa e shumë titullarëve nga ekipi kundërshtar në sfidën e sotme është reflektuar ndjeshëm në interesimin e paktë të tifozerisë kuqeblu, por edhe të atyre të ardhur nga emigracioni në Shkodër. Në takimin e sotëm nuk pritet të ketë ndonjë numër të madh të tifozerisë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›