Ekspozohen gjërat e vjedhura
Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor të Ferizajt ka ekspozuar të martën një sasi të madhe të gjësendeve të vjedhura, të cilat policia i kishte konfiskuar gjatë aksionit të kapjes së kryerësve. Burime policore kanë bërë të ditur se nga rastet e fundit të zbuluara, janë 20 vjedhje me thyerje të lokaleve me gjëra teknike dhe 10 vjedhje me thyerje të lokaleve ushqimore.
Shefi i njësitit të hetimeve të stacionit policor të Ferizajt, togeri Xhavit Xhokli ka thënë se lidhur me këto raste të vjedhjeve, dy persona kanë përfunduar në pranga, ndërsa për dy të tjerë policia është në kërkim.
Lista e sendeve të vjedhura përbëhej prej 11 televizorëve të tipit plazma, 6 monitor për kompjuter, 2 lap-top, 2 gjeneratorë, 1 aparat fotokopjues, 2 printerë, 3 shtëpiza kompjuteri, 4 kuti me mjete të punës, 1 aparat i kafes, një kodencioner e shumë gjëra tjera, si cigare, kafe, çaj dhe disa palë farmerka.
“Sendet e prezantuara janë vetëm një pjesë e atyre që janë vjedhur. Hetuesit janë ende duke punuar dhe besojmë që numri i rasteve të zbuluara do të arrij në 50”, theksoi Xhokli për Kosovapress.
Mësohet se vjedhjet janë kryer në zonën e qytetit të Ferizajt, nga persona të cilët edhe më parë kanë qenë të njohur për policinë. Për më tepër bëhet e ditur se shumica prej sendeve janë identifikuara prej pronarëve dhe se ato do tu kthehen atyre.
Statistikat e prezantuara për periudhën janar-mars, flasin se janë 440 raste të pranuara nga njësiti i hetimeve të stacionit policor të Ferizajt. Prej tyre 377 raste të pranuara me kryerës të panjohur, 63 raste të pranuara me kryerës të njohur, ndërsa janë 273 raste të zbuluara dërguara në gjykatë ku kryerësit kanë qenë të panjohur, 46 raste të zbuluara dhe dërguara në gjykatë me kryerës të njohur.