E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria ka politika të palogjikshme për bujqësinë

Nga Express më 05 prill 2011 në ora 20:00

Ekspertë të bujqësisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje vlerësuan se Qeveria e Kosovës me lënien anash të sektorit bujqësor po i vazhdon politikat e saj të palogjikshme. Duke përmendur problemet e shumta të bujqve, ekspertët konsiderojnë se duhet një stimulim dhe ndarje më e madhe e buxhetit për sektorin e bujqësisë, nëse dëshirohet të ketë edhe zhvillim ekonomik.

Këto konstatime janë nxjerrë gjatë një tribune me temë “Bujqësia në Kosovë dhe problemet e saj” të organizuar nga Vetëvendosje, ku ligjëruar inxhinieri i bujqësisë, Hysni Guraziu dhe profesor-asistent në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në UP, Salih Salihu.

Inxhinieri Hysni Guraziu e ka quajtur të pa kuptimtë shumën e ndarë nga buxheti i Kosovës për sektorin e bujqësisë. Ai ka kritikuar politikat e deritashme për sektorin e bujqësisë, duke thënë se Qeveria nuk është marrë sa duhet me bujqësinë dhe e ka lënë anësh këtë sektorë, ndërsa ka dhënë sisa shembuj se si duhet të dilet nga gjendja e mjerueshme.

“A mundet sot prodhuesi ynë ose qytetari që jeton në vende rurale, të jetë konkurrent në këtë treg? - ku shteti është si spektator i cili shikon se si bëhet tregu, se si lufton prodhuesi ynë me prodhuesit e shteteve të normale të cilat natyrisht e kanë gjetur Kosovën si treg shumë të mirë për plasman të produkteve të tyre. Faktorët që kanë ndikuar në këtë gjendje, nuk janë krejt natyror e klimatik nga të cilët shumë bëhet prodhimi në këtë sferë, por janë edhe faktor ekonomikë, të cilët qeveritë tona i kanë përdorur në mënyrë shumë të pa logjikshme”, ka thënë Salihu.

Ndërkaq profesori e asistenti në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në UP, Salih Salihu ka shpalosur disa nga mënyrat dhe politikat se si të zhvillohet sektori i bujqësisë në vend.

Ai vlerësoi se bujqësia është njëri nga sektorët që meriton të investohet më shumë, ndërsa kritikoi që institucionet nuk kanë bërë asgjë që të ulen së paku kamatat e larta të kredive për bujqësi.

“Unë mendoj se një nga problemet themelore është buxheti i vogël për bujqësi dhe mungesa e investimeve kapitale për bujqësi. Kjo nënkupton se vitin e kaluar, Qeveria jonë për bujqësi ka ndarë afro 10 milionë euro, ndërkaq për Ministrinë e Transportit ka ndarë 300 milionë euro, dhe nëse bëhen analiza se a ka pas Kosova nevojë që aq shpejtë t’i shtroj rrugët, dhe tërë tokën ta len djerrinë dhe me 40 për qind të rinisë që e kemi papunë e t’i jap prioritet asfaltit. Mandej mungesa e institucioneve kredituese me kamata të volitshme dhe afatgjata - ju jeni dëshmitar se në Kosovë kamatat për bujqësi shumë pak dallojnë nga kamatat që jepen për aktivitete tjera, do të thotë janë shumë të larta”, është shprehur ai.

Në këtë rast, Salihu tha se edhe mungesa e investitorëve të huaj është si shkak i mos krijimit të kushteve e sigurisë për ato që prodhohen në Kosovë dhe proceduarave të komplikuara.

Ekspertët e Vetëvendosjes konsiderojnë se është e domosdoshëm hartimi i një strategjie për zhvillimin e bujqësisë, ku parashihen të gjitha masat që garantojnë qëndrueshmëri dhe mbrojtje institucionale për prodhimet e atyre që merren me bujqësi. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›