Krasniqi: Partitë duhet ta gjejnë një kandidat konsensual

Një ditë para se të zhvillonte takimet e paralajmëruara me partitë politike parlamentare, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka mbajtur takim me kryesinë e Partisë Demokratike të Kosovës, në të cilin mungoi kryetari i partisë dhe kryeministri, Hashim Thaçi.
Krasniqi ka thënë se Thaçi mungoi në këtë mbledhje për shkak se është në takime të vazhdueshme me subjektet politike, prej të cilave pret që të japin rezultate.
U.d. presidenti Krasniqi nuk ndjehet i anashkaluar nga bisedimet që janë zhvilluar sot, për shkak se bisedat e sotme janë bërë mes kryetarëve të subjekteve politike.
Ai ka thënë se pret që të ketë ndonjë rezultat nga këto takime, por nëse nuk do të ketë rezultat, atëherë edhe ashtu, ai ka paralajmëruar për nesër takime me subjektet politike parlamentare, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për dalje nga kriza.
“Janë duke u zhvilluar bisedimet dhe në këto bisedime unë nuk dua të përzihem. Megjithatë qëndrimet tona kanë qenë publike dhe vazhdojnë të jenë publike. Neve na vjen mirë, nëse partitë politike, sidomos partitë kryesore që janë pjesë e Kuvendit, arrijnë një marrëveshje, për neve është e pranueshme”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se në Kosovë tani është krijuar një situatë e re politike, e cila varet shumë nga marrëveshja mes subjekteve politike, ndërkohë që paralajmëron se nuk do ta votojë ‘verbërisht’ asnjë kandidat për president.
“Situata e re është që partitë politike duhet ta gjejnë një kandidat, për të cilin partitë politike kanë një konsensus, kanë një marrëveshje dhe pastaj të ecet përpara. Kjo është e rëndësishme nëse arrijnë ta kenë një kandidat me konsensus, dhe që edhe opozita është pjesë e këtij procesi”, është shprehur Krasniqi.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka theksuar se PDK-ja do ta mbështes atë kandidat për të cilin partitë politike vlerësojnë se është në interes të vendit.
“Po përsëris edhe njëherë se Partia Demokratike do të bëjë përpjekje që të gjejë një gjuhë të përbashkët me të gjitha partitë politike, të zhbllokojmë procesin dhe të ecim përpara”, ka thënë Grabovci.
Ai ka shprehur qëndrimin e PDK-së për nevojën e një reforme zgjedhore dhe për ndryshimet kushtetuese, duke thënë se PDK-ja kohë më parë është deklaruar se do ta marrë vetë iniciativën për fillimin e këtyre ndryshimeve.
Sido që të jetë, për ata që mendojnë se që Jakup Krasniqi, i cili mban postin e kryetarit të Kuvendit dhe të ushtruesit të detyrës së presidentit, mund të kandidohet për president të Kosovës, vetë Krasniqi ka një përgjigje.
“E kam thënë publikisht, në situata të tilla, për shkak të situatës që është krijuar, nuk dua të jem kandidat i pazareve politike”, ka thënë Krasniqi.
Në cilësinë e ushtruesit të detyrës ai ka paralajmëruar për nesër takime me subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend.
Ndërkohë po nesër do të mblidhet Kryesia e Kuvendit, por sa i përket mbajtjes së seancës në të cilën pritet të zgjidhet presidenti, Krasniqi ka thënë kjo varet nga materiali, i cili ende nuk është dorëzuar në Kryesinë e Kuvend.