E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anti-varfëria, Berisha: Kredi të buta, sipas modelit “Yunus”



"Bankieri i të varfërve" është krijuesi i një banke të veçantë të quajtur "Grameen Bank", por që nga të gjithë, për vetë llojin e aktivitetit, shtrirjen dhe objektivat bazë të punës së saj njihet ndryshe dhe si "Banka e fshatit".

Qeveria shqiptare ka vendosur ta marrë si model të veçantë për luftën kundër skamjes kreditimin e zonave të varfra me sistemin bankar me emrin Grameen të krijuar prej vitesh nga nobelisti me origjinë nga Bangladeshi, Muhamet Yunus. Ky sistem konsiston në dhënien e kredive të vogla pa garanci për të varfrit, në mënyrë që ata të mund të ngrejnë aktivitetet e tyre. Kryeministri Sali Berisha bëri dje të qartë se qeveria do të fuqizojë sistemin e mikrokreditimit në ndihmë bizneseve sociale dhe familjeve në nevojë, duke sjellë në Shqipëri fondacionin “Grameen”, si modeli më i suksesshëm në këtë drejtim. Z. Berisha njoftoi dje zbatimin e kësaj nisme gjatë prezantimit të planit për përmirësimin e jetesës së komuniteteve rome dhe egjiptiane në vend. "Ne shpresojmë që së shpejti “Grameen”, që është banka që udhëhiqet nga nobelisti Yunus, në një takim që pata në Nju Jork dhe pastaj me një korrespondencë bilaterale, kemi rënë dakord që fondacioni i tij të shtrijë veprimtari të ngjeshur në vendin tonë, veprimtari e cila do të konsistojë në mikrokreditë për zonat e varfra, për gratë e veja, familjet e varfra, po dhe në mikrokredi për biznese sociale, po në zonat e varfra", - tha Kryeministri Sali Berisha. Aktualisht, banka “Grameen” ka 1400 filiale në të cilat punojnë mbi 15000 njerëz; ka mbi 3 milionë klientë të shpërndarë në 50000 fshatra dhe ç’është më e veçanta e saj, 94% e këtyre klientëve janë femra. "Grameen Bank", e cila deri tani ka dhënë mbi 4,6 miliardë dollarë në formën e mikrokredive, mban një rekord origjinal dhe për t’u pasur zili nga të gjitha bankat e botës. Përqindja e kthimit të kredive nga ana e klientëve të saj është më e lartë se 98%. Këshilli i Ministrave miratoi dje një plan, i cili sipas Kryeministrit Berisha, synon të ndryshojë jetën e romëve dhe egjiptianëve. “Qeveria do të ketë të njëjtin trajtim për të dyja këto komunitete në përpjekjet e saj, për një ndryshim të madh pozitiv të jetës së tyre, për luftën kundër varfërisë, për strehimin, punësimin dhe shkollimin e tyre. Disa përpjekje janë bërë veçanërisht në fushën e strehimit, por është e domosdoshme që të bëhen përpjekje të tjera të mëdha”, - theksoi z. Berisha. Sipas Kryeministrit, në këto komunitete, varfëria është disa herë më e thellë sesa në komunitetet korresponduese jo shqiptare, jo rome dhe jo egjiptiane.

“Qeveria, - tha Kryeministri, - do të ketë të njëjtin trajtim për të dyja këto komunitete në përpjekjet e saj, për një ndryshim të madh pozitiv të jetës së tyre, për luftën kundër varfërisë, për strehimin, punësimin dhe shkollimin e tyre. Disa përpjekje janë bërë veçanërisht në fushën e strehimit, por është e domosdoshme që të bëhen përpjekje të tjera të mëdha”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›