Ekstradimet përplasin PD-në me Prokurorinë
BLEDAR HOTI
Deputetët e PD-së debatojnë me përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme, në lidhje me projektligjin e ekstradimeve. Drafti i qeverisë “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale” ka qenë “molla e sherrit” ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme dhe deputetëve të PD-së në Komisionin e Ligjeve. Shkak i ashpërsimit të debatit ka qenë neni 38 i këtij projektligji, në të cilën merrej masa për ndalimin e një personi, për të cilin kërkohej ekstradim nga jashtë. Përfaqësuesi i Prokurorisë, Kaltër Serreqi, kërkonte që të mos shmangej institucioni që ai përfaqëson. Shkak është bërë kërkesa e prokurorisë, që të vihet në njoftim për procedimin penal, pasi kjo kompetencë e tillë i shkon direkt Ministrisë së Drejtësisë, pa u vënë në dijeni organi i akuzës. “Të lutem më thoni një propozim në lidhje me këtë pikë. A ka prokuroria pjesë në këtë proces, duke marrë dokumente shtesë apo prova materiale”, i kërkoi Rusmali, Serreqit. Ndërsa përfaqësuesi i Prokurorisë shpjegoi vetëm procedurën e vendeve të tjera, duke shtuar pra se “këto janë procedura me të cilën merrej policia”. “Atëherë pra, pse kërkoni përfshirjen e tij kur nuk jeni pjesë, pse i thoni këtu për gjëra logjike dhe thoni gjëra jo logjike”, iu drejtua Rusmali. Ndërsa përfaqësuesi i prokurorisë iu drejtua më pas se “mos të shprehej në këtë mënyrë, pasi nuk po fliste pa logjikë dhe të mos e ngrinte zërin”. Rusmali tha se Prokuroria nuk është e përfshirë në këtë proces, pasi sipas tij, strukturat policore janë ato që mbledhin informacionin. Ai e cilësoi si të pavend ndërhyrjen e prokurorisë në këtë nen, që ka të bëjë me kthimin e përgjigjeve për institucionet ndërkombëtare homologe të drejtësisë. Mes Rusmalit dhe Serreqit kanë vazhduar përplasjet, acarimi i situatës mes tyre, ka sjellë më pas që kryekomisioneri i Ligjeve të ndërpresë shqyrtimin e draftit, derisa Ministria e Drejtësisë të paraqesë riformulimin e nenit në fjalë. Projektligji u miratua fillimisht nga Komisioni i Ligjeve, por pretendimet që kishte Prokuroria e Përgjithshme, si dhe mbi të gjitha misionet si Euralius dhe PROSECO. Konkretisht janë paraqitur komentet, të cilat janë përgatitur nga një ekspert britanik. Drejtoresha e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Marsida Xhafellari, në mbledhjen e disa ditëve më parë në lidhje me propozimet e paraqitura ka theksuar se “materiali i paraqitur nga Euralius janë shqyrtuar nga ministria”. Pikërisht paraqitja e vërejtjeve për draftin e parë, të miratuar nga Komisioni i Ligjeve, nga Prokuroria e Përgjithshme dhe misionet ndërkombëtare bëri që Kuvendi të mos e miratojë në seancë por ta rishikojë nga e para. Komisioni parlamentar i Ligjeve vendosi që këtë draft ta shqyrtonte sërish në ditën e sotme në ora 12:00.
Debatet
Ilir Rusmali, PD: Zoti Serreqi a mund të më thoni a ka prokuroria pjesë në këtë proces, duke marrë dokumente shtesë apo prova materiale.
Kaltër Serreqi (Prokuroria e Përgjithshme): Nuk ka asnjë lidhje, provat merren nga Policia, por ne kërkojmë të vihemi në dijeni.
Ilir Rusmali: Atëherë pra pse kërkoni përfshirjen e tij, kur nuk jeni pjesë, pse i thoni këtu për gjëra logjike dhe thoni gjëra jo logjike.
Kaltër Serreqi: Mos bërtisni, unë po flas për gjëra logjike.
Ilir Rusmali: As ju mos drejtoni me dorë ndaj një deputeti dhe kreut të komisionit se nuk është etike.
Kaltër Serreqi: Nuk e kisha me qëllim ndaj jush.
Ilir Rusmali: Zonja Xhafellari dua një riformulim të nenit 38, sipas gjithave që ne diskutuam. Ti (i drejtohet Serreqit) mos tund kokën se nuk po flas ty. Mbledhja mbyllet, vazhdojmë nesër në ora 12:00