E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakti me Greqinë, Berisha: Do të presim kushtetuesen

 

Kryeministri Sali Berisha tha dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike se maxhoranca do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen me Greqinë për përcaktimin e kufirit ujor. Burime brenda grupit parlamentar të PD-së, kanë bërë të ditur se kryeministri i është rikthyer sërish marrëveshjeve me shtetin helen, ku theksoi se do të miratohet në seancat e ardhshme marrëveshja për varrezat greke. “Ne do të presim dhe do të respektojmë vendimin e gjykatës kushtetuese për marrëveshjen për kufirin ujor me Greqinë. Në të njëjtën kohë do të votojmë në parlament marrëveshjen për varrezat”, mësohet të ketë thënë kreu i qeverisë. Në pjesën ku ishin të pranishme edhe mediat, kreu i qeverisë vuri theksin te buxheti, i cili ka nisur debatin në komisionet parlamentare. Sipas tij Ministria e Financave do të përgatisë skemën për rritjen e rrogave në sistemin gjyqësor, pasi kjo nuk mund të rregullohet me ligj për shkak se kërkon 3/5 e votave. “Do të gjendet në të gjitha mënyrat që sistemi gjyqësor, organeve e prokurorisë, të cilat nuk kanë përfituar shkallën e rritjes së rrogave të administratës, në dialog të plotë dhe duke respektuar tërësisht frymën e ligjit, të mund t’u gjendet edhe atyre një zgjidhje, pasi ligji i tyre kalon me 3/5-at. Ministria e Financave dhe ministritë përkatëse duhet të gjejnë mënyrën që atyre t’u jepet një shpërblim mujor më i merituar dhe i zgjidhur nga rroga e gjykatësit kryesor, pasi gjykatësi kryesor ka rrogën e ministrit”, tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›