E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradimi i Arben Frrokut, Gjykata e Lartë greke: Vendimi, në 7 qershor

Vazhdon kalvari i gjyqeve në Greqi për Arben Frrokun, i akuzuar nga drejtësia shqiptare për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj mbrëmjen e 24 shkurtit në Tiranë. 

Sot paradite në Gjykatën e Lartë në Athinë u zhvillua séanca në ngarkim të tij, por ajo nuk ka dalë me një vendim. 

Vendimi për ekstradimin ose jo të Arben Frrokut do të merret të premten e ardhshme, në datën 7 qershor. Këtë e bëri të ditur për News24 avokati grek i Arben Frrokut, Makis Kaftopulos. 

Arben Frroku u arrestua në Selanik natën duke u gdhirë 25 shkurti, disa orë pas vrasjes së kryekomisarit Lamaj në Tiranë. Në muajin prill gjykata e Selanikut vendosi ekstradimin e Frrokut, por vendimi u apelua që në sallë dhe tani pritet që vendimi përfundimtar të merret nga Gjykata e Lartë greke. 

Arben Frroku, i cili është edhe kandidat i partisë Kristiandemokrate për zgjedhjet parlamentare te 23 qershorit, nuk e ka pranuar asnjëherë akuzën, madje ka paraqitur alibitë e tij për kohën kur ndodhi vrasja. Ai ka deklaruar se arrestimi i tij është bërë për motive politike.
(Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›