Pas 5 vjetësh zbulon se nuk ishte babai i fëmijës, i heq atësinë në gjykatë
—-Nga Arisa Liço—-
Tiranë – 38-vjeçari E.L, nga Vlora dhe banues në Tiranë, pas pesë vitesh ka kërkuar çnjohjen e atësisë së fëmijës të lindur nga një marrëdhënie jashtëmartesore, që fillimisht e kishte pranuar si të tijin.
Sipas vendimit të dhënë para pak ditësh nga gjykata e Tiranës, E.L në vitin 2004 ka pasur një lidhje bashkejetese me shtetasen M.G. Në vitin 2007, pasi ai kishte krijuar familjen me një tjetër femër, ish-bashkëjetuesja e ka vënë në dijeni se është shtatzënë, duke pretenduar se ai ishte babai i fëmijës. Ajo përdori çdo lloj forme për ta bindur që ai ishte babai i fëmijes dhe 38-vjeçari, i bindur për këtë fakt nga presioni i ushtruar prej saj, e ka njohur vullnetarisht atësinë e fëmijës,- thuhet në vendimin e gjykatës.
Që nga ajo kohë, pavarësisht se ai i ndërpreu marrëdheniet e tij me nënën e fëmijes dhe krijoi familjen e tij të re dhe me dy fëmijë të tjerë nga martesa e re, ai ka marrë përsipër detyrimet e tij ndaj fëmijës, tashmë 5-vjeçar, duke u përkujdesur për të si nga ana emocionale edhe nga ajo ekonomike.
Djali, i lindur në vitin 2008, ka qenë fëmijë me probleme shëndetësore, fëmijë autik dhe babai i ka qëndruar pranë, e ka ndihmuar me trajtimet mjekesore dhe falë këtyre ndërhyrjeve, sot ai është një fëmijë normal dhe plot shëndet.
Pas periudhës që fëmija e ka kaluar këtë gjendje problematike shëndetësore, 38-vjeçari, pas dyshimeve që kishte prej kohësh lidhur me atësinë, së bashku me fëmijen i jane nënshtruar ekzaminimit laboratorik për analizen e DNA në Athinë, më dt.19.11.2012.
Nga rezultatet e analizimit konkludohet se babai i dyshuar E.L nuk është babai biologjik i fëmijës, ka konkluduar rezultati i AND-së.
Kështu, gjykata pranoi kërkesën e 38-vjeçarit për kundërshtimin e atësisë.