E Diel, 1 Nëntor 2026

KE përshëndet miratimin e 3 ligjeve, Stano: Presim që këto ligje të hyjnë në fuqi

BRUKSEL-Komisioni Europian ka mirëpritur miratimin me konsensus nga Kuvendi i Shqipërisë të tre ligjeve në fushën e gjyqësorit dhe administratës publike si dhe reformen e procedurës parlamentare.

Ka qënë ky reagimi i zëdhënësit të komisionerit europian të zgjerimit Stefan Fule, Peter Stano dhënë për News 24.
“Presim që këto ligje të hyjnë në fuqi. Ky vendim është një hap i rëndësishëm përpara për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian për të mirën e qytetarëve”-ka deklaruar zëdhënësi Stano.

Sipas tij, miratimi i këtyre tre ligjeve bashkë me masat e mëtejshme për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, përfshirë këtu hetimet dhe ndjekjet penale të rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar janë jetike për një vendim të ardhshëm të Këshillit të Bashkimi Europian për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.

“Në përputhje me kërkesën e Këshillit, Komisioni do të raportojë në kohën e duhur për progresin e arritur nga Shqipëria”-ka shtuar Stano. Zëdhënësi i eurokomisionerit Fule theksoi ndërkaq rëndësinë e procesit zgjedhor të 23 qershorit. Duke pasur parasysh rëndësinë e konkluzioneve të dhjetorit të këshillit Europian për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, komisioni dëshiron të rikujtojë se zhvillimi i suksesshëm i tyre do të jetë një test jetik për funksionimin e institucioneve demokratike.

(d.b/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›