Falsifikonin dokumente zyrtare, përfituan mijëra hektarë tokë
Vlorë- Policia e Vlorës ka sekuestruar një sipërfaqe prej 105 mijë metra katrorë tokë truall e përvetësuar nga dy shtetas nëpërmjet falsifikimit të dokumentave.
Burime nga policia kanë bërë me dije se kanë arrestuar shtetasen Xhulieta Anastasiadhi e cila në bashkëpunim me Mihail Rrapaj nëpërmjet falsifikimit të dokumentave zyrtare, vendimeve të Agjensisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, si dhe firmave te personave të ndryshëm, kanë përvetësuar në favor të tyre këtë sasi trualli. Siperfaqja e tokës arrin vlerën e tre milionë eurove.
Policia ka bërë të ditur se në këtë sipërfaqe toke janë duke ndërtuar sipërmarrës të ndryshëm objekte shumëkatëshe. Vendet e përfshira janë 14 mijë metra katëror tokë truall të ndodhura në Komunën Qendër dhe, 88 mijë metra katror tokë e ndodhur në fshatin Bunavi si dhe një pjesë e mire në Repartin Ushtarak.