E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërhiqet PD, e gatshme të negociojë për dosjet

PD e gatshme të lëshojë pe edhe për pikat e diskutueshmeTIRANË- Konsensusi i arritur gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Legjislacionit për çështjen e kufizimit të imunitetit, duket se nuk do të jetë i fundit midis pozitës dhe opozitës, pasi në ditët në vijim pritet të konkretizohet mirëkuptimi edhe për çështjen e shumëdebatuar të dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit. Pasi u tërhoq nga nisma për miratimin e njëanshëm të projektligjit për kufizimin e imunitetit, Partia Demokratike është e gatshme që të negociojë edhe për pretendimet e saj lidhur me draftin e dosjeve. Burime në grupin parlamentar të Partisë Demokratike, që po merren me këtë çështje kanë bërë të ditur dje për “Shekulli-n” se demokratët janë të gatshëm që të negociojnë me socialistët për dy çështjet që deri më tani kanë mbajtur të bllokuar diskutimin dhe më pas miratimin e projektit në Komisionin e Ligjeve, kjo për hir të konsensusit që kërkon vetë përmbajtja e këtij drafti. Bëhet fjalë për nenet që lidhen me ndërprerjen e mandatit dhe të kategorive që do të përfshihen në procesin e verifikimit. Një tërheqje e tillë e çfarëdo forme do të bënte të mundur marrjen e pëlqimit edhe të socialistëve, të cilët gjatë relatimit që i bënë të tre projektligjeve që janë paraqitur në Kuvend theksuan se ndërprerja e mandatit është antikushtetuese. Socialistët për këtë pikë kërkuan që të mjaftohej me bërjen publike të faktit që një zyrtar ka qenë ose jo bashkëpunëtor i sigurimit, ndërsa largimi nga posti nuk mund të bëhej me ligj por vetëm me dëshirën e tij. Ndërkohë edhe sa i përket çështjes së kategorive që do të përfshihen në verifikim, demokratët janë të prirur që të lëshojnë terren. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se përsa i përket kësaj çështje, PD nuk përjashton edhe mundësinë që të hyjë ne negociata me socialistët për të përjashtuar nga verifikimi edhe ndonjë kategori tjetër të caktuar që aktualisht është përfshirë në projektligjin e PD-së. Mrgjithatë përpos kësaj gatishmërie që nuk bëhet publike as zyrtarisht, demokratët nuk kanë pranuar deri më tani asnjë variantet e hedhura nga PS, qofte për ngritjen e një komisioni të posaçëm e deri tek kalimi i draftit nën ekspertizën e ndërkombëtarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›