E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti i deputetit, PD-PS dakord për kufizimin

Dy partitë kryesore vendosin që të ndërhyjnë në Kushtetutë për kufizimin e imunitetit. PD tërhiqet nga ligji i saj

TIRANË- Deputetët do të mund të hetohen nga Prokuroria pa qenë nevoja e marrjes më parë të pëlqimit të Kuvendit. Forcat politike duket se kanë rënë parimisht dakord për të nisur sa më parë procedurat për kufizimin e imunitetit, por jo me ligj siç kërkonin deri më tani demokratët, por duke ndryshuar Ligjin themeltar Kushtetutën. Këshilli kuvendor për Legjislacionin ka gjetur mirëkuptimin e të gjitha palëve për ti propozuar Konferencës së Kryetarëve nisjen e procedurave për ndryshimin e Kushtetutës në nenin 73 të tij, ku dhe bëhet fjalë pikërisht për imunitetin e deputetëve.

Këshilli

Pas përpjekjeve gati tre vjeçare, Partia Demokratike ka hequr përfundimisht dorë nga nisma e saj për të kaluar qoftë edhe në mënyrë të njëanshme nismën e saj ligjore për kufizimin e imunitetit. Kjo duket se i ka hapur rrugë konsensusit me opozitën për të gjetur një zgjidhje të pranueshme nga të gjitha palët për këtë çështje. Në këtë frymë është mbledhur dje Këshilli për Legjislacionin, i cili mori në shqyrtim dhe diskutoi mbi këtë çështje. Siç bëhet e ditur edhe nga njoftimi zyrtar i Kuvendit, gjatë kësaj mbledhje që u zhvillua me dyer të mbyllura, Këshilli ka konstatuar se, nismat e ndërmarra deri tani në lidhje me çështjet e imuniteteve nuk kanë prodhuar rezultatin e dëshiruar. Për këtë arsye Këshilli për Legjislacionin ka vlerësuar se vullneti i shprehur edhe publikisht nga të gjitha forcat politike për heqjen e imunitetit duhet të konkretizohet në miratimin e amendamenteve kushtetuese, të cilat t’i përgjigjen standardeve europiane në trajtimin e çështjes së imuniteteve. Këtë qëndrim Këshilli ka vendosur t’ia përcjellë të gjitha grupeve parlamentare në Konferencën e Kryetarëve, me qëllim që amendamentet kushtetuese të mbështeten nga të gjitha grupet parlamentare. Ndërkohë gjatë mbledhjes së djeshme është vendosur gjithashtu që Ylli Bufi nga PS dhe Ilir Rusmali nga PD të hartojnë draft-amendamentet përkatëse në mënyrë që më pas ato t’u jepen grupeve parlamentare për nënshkrim, për të vazhduar më tej me procedurat e Rregullores së Kuvendit për rishikimin e Kushtetutës.

Kushtetuta

Pavarësisht vullnetit pozitiv për të realizuar një ndryshim të tillë në Kushtetutë asnjëra nga palët nuk ka qenë në gjendje dje të qartësojë nëse kjo nismë do të përfshijë vetëm imunitetet parlamentare apo edhe ato të drejtuesve të tjerë të lartë përfshi edhe gjyqtarët. Kështu, burime pranë mbledhjes së këshillit bënë të ditur për “Shekulli-n” se mbledhja e djeshme diskutoi vetëm për imunitetin e deputetëve dhe jo për ato të zyrtarëve të lartë. Të njëjtat burime konfirmojnë se konkretizimi i këtij vullneti në amendamente konkrete do të thotë shfuqizimin e fjalisë së parë të pikës së dytë të nenit 73 të Kushtetutës, duke përcaktuar se deputeti mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Ndërkohë pritet të lihet në fuqi fjalia e dytë e kësaj pike ku përcaktohet se në rastet e arrestimit të një deputeti duhet marrë me patjetër autorizimi i Kuvendit. Me anë të këtij ndryshimi synohet që të ndihmohet Prokuroria në punën e saj kundër korrupsionit që zhvillohet nga deputetët. Megjithatë, pavarësisht se debati i djeshëm është përqendruar vetëm tek imunitetet parlamentare, nuk përjashtohet mundësia që gjatë diskutimit konkret të saj të rihapet edhe një herë diskutimi për kufizimin e imunitetit edhe për kategoritë e tjera të zyrtarëve të lartë.

Neni 73

1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe për votat e dhëna prej tij. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.

2. Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit (shfuqizohet). Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet.

3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.

4. Për rastet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi vendos me votim të fshehtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›