E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri merr pjesë në konferencën e OKB për klimën

Autori i Lajmit: RedaksiaKryeministri Sali Berisha u nis dje për një vizitë treditore në Kopenhagen, në Danimarkë, ku do të kryesojë delegacionin shqiptar që merr pjesë në “Konferencën e OKB për Ndryshimet e Klimës”. Gjatë kësaj vizite, Berisha do të mbajë një fjalim në seancën plenare të paradites të datës 17 dhjetor. Po në atë ditë do të kenë fjalën e tyre edhe kryetarë të vendeve mjaft të rëndësishme, si presidenti i Meksikës Felipe Kalderón Hinojosa, kryeministri i Australisë, Kevin M.Rudd, kryeministri Greqisë, Jorgo Papandreu. Berisha është i ftuar dhe në një darkë që shtrohet për nder të pjesëmarrësve nga mbretëresha e Danimarkës, Madhëria e Saj Margrethe II, darkë e cila do të mbahet në Christiansborg Castle, pas ceremonisë së prezantimit me Familjen Mbretërore. Gjithashtu, Kryeministri është i ftuar edhe në një drekë të shtruar nga kryeministri i Danimarkës në ambientet e Bella Center, së bashku me kryetarët e tjerë të qeverive dhe delegacioneve pjesëmarrëse në këtë konferencë. Gjatë këtyre ditëve, Kreu i Qeverisë shqiptare do të zhvillojë një seri takimesh bilaterale me liderë të rajonit dhe evropianë, si dhe do ti përgjigjet interesit të mediave më prestigjioze të Danimarkës lidhur me hapat e mëtejshme të Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, zhvillimit ekonomik dhe perspektivën evropiane.
Ky lajm është publikuar: 17/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›