E Shtunë, 31 Tetor 2026

Limit për lindjet me operacion, mjekët 5 % shtesë page

Autori i Lajmit: Entela DurajInstituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka miratuar dje kontratat e reja me spitalet. Për vitin 2010 këto kontrata parashikojnë shtesë page për mjekët në masën 5 % nisur nga performanca e tyre në punë. Por nga ana tjetër për herë të parë në këto kontrata parashikohen edhe sanksione ndaj bluzave të bardha në rast të moszbatimit të sistemit të referimit. Gjobat variojnë nga 10 mijë lekë deri në 30 mijë lekë e madje në disa raste, thyerja e disiplinës do tu kushtojë mjekëve humbjen e vendit të punës. Për më tepër, materniteteve u është vënë limit në kryerjen e operacioneve cezariane (lindjeve të grave shtatzëna me operacion) deri në masën 20 % nisur kjo edhe nga rekomandime të OBSH-së. Të gjitha këto u bënë të ditura dje nga drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. Sipas burimeve zyrtare nga ISKSH, pas konsultimeve të muajve të fundit me drejtuesit e spitaleve dhe qendrave shëndetësore, Këshilli Administrativ i ISKSH-së ka miratuar dje kontratat e vitit 2010 me spitalet dhe qendrat shëndetësore në të gjithë vendin. “Një vit pas përfshirjes së spitaleve në skemën e sigurimeve shëndetësore, kontratat e reja kanë përmirësime të dukshme që lidhen me cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve”,- tha drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana.

Kontratat

Sipas shpjegimit të dhënë prej drejtoreshës Hana, ISKSH do të lidhë kontrata me 39 spitale publike, nga të cilat 4 spitale në nivel terciar. Me aplikimin e kontratës së re mes ISKSH-së dhe spitaleve, synohet të hidhen konceptet bazë për përmirësimin e cilësisë në shërbimin spitalor. Risi në kontratën spitalore të vitit 2010, është aplikimi i formave të reja të vlerësimit të performancës së mjekëve, nëpërmjet matjes së një seti indikatorësh, të cilët janë: përqindja e shfrytëzimit të shtratit të pacientit,(sa më e lartë të jetë aq më efikas është spitali); përqindja e rishtrimeve përmes shërbimit të urgjencës brenda 72 orëve pas daljes nga pavijoni për të njëjtën diagnozë, (sa më e ulët të jetë, aq më efikas është shërbimi); përqindja e pacientëve të shëruar që kanë dalë nga spitali, (sa më e lartë të jetë aq më efikas është shërbimi e njëherësh edhe përfitimi i mjekëve; përqindja e kryerjes së operacioneve cezariane te gratë shtatzëna (kur është e ulët tregon performancë të mirë të maternitetit)

Bonusi për mjekët

”Synimi ynë është që një pjesë e pagesës së spitaleve të bëhet në bazë të plotësimit të këtyre indikatorëve, në mënyrë që mjekët të kuptojnë se eficienca paguhet me buxhet shtesë. Në fund të vitit, ISKSH do të aplikojë dhënien e bonusit në masën 5 % mbi buxhetin e planifikuar, si një metodë efikase për të stimuluar mjekët dhe për të rritur cilësinë e shërbimit”,- u shpreh drejtoresha e ISKSH-së. Pjesë e Bonusit që do të japë ISKSH për mjekët janë edhe trajnimet. Pra, nëse mjekët e Qendrave Shëndetësore, nëpërmjet përditësimit të njohurive, arrijnë të realizojnë kreditet e përcaktuara nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim, do të përfitojnë pjesën e përcaktuar të Bonusit. Një pikë tjetër e rëndësishme e kontratave me spitalet është ngritja e strukturës së shërbimit të recepsionit dhe arkëtimit, e cila do të regjistrojë dhe indentifikojë lëvizjen e pacientëve si dhe përfitimin e shërbimit përkatës brenda spitaleve. Mirëfunksionimi i këtij shërbimi do të sjellë ulje të informalitetit dhe rritje të të ardhurave të spitaleve, të cilat do të përdoren për barna, investime dhe shpërblime.

Gjobat

Kontratat e reja synojnë gjithashtu forcimin e rolit të kontrollit në spitale. Moszbatimi i sistemit të referimit do të gjobitet me 10.000 lekë për rastin e parë të konstatuar dhe në rast të përsëritjes 30.000 lekë e deri në masa të tjera administrative si propozim për largim nga puna.

Kontratat- Hana

Maternitetet, jo më shumë se 20 % lindje me operacion
Në kontratat që ISKSH do të lidhë me 414 qendrat shëndetësore në të gjithë vendin ka ndryshime cilësore. Kështu në qendrat shëndetësore do të matet për herë të parë indikatori për ndjekjen e mirërritjes së fëmijëve dhe ai për ndjekjen e sëmundjeve kryesore kronike: Diabetit dhe Hipertensionit. Synimi është që mbi 90% e të sëmurëve të trajtuar, të kenë brenda parametrave këto dy sëmundje që janë më të përhapurat në vend. Ndërsa lidhur me idikatorin e përqindjes së kryerjes së operacioneve cezariane, drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, u shpreh se, duke parë këtë si një trend që ka ardhur në rritje, është vendosur një standard që është botëror, i sugjeruar dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. “Nëse do të ketë një përqindje më të lartë se 20 %, të të gjitha lindjeve me operacione cezariane, kjo do të thotë se spitali ka një performancë jo të mirë”,- tha Hana.

Ky lajm është publikuar: 17/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›