E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohen dy shqiptarë të kërkuar për vrasje

TIRANE- Interpol Tirana ekstradoi sot përkatësisht nga Italia dhe Greqia dy shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe të dënuar për veprën penale të vrasjes. Ekstradimi i parë është kryer pak para mesditës nga Roma, Itali, për 42 vjecarin Tonin Vata nga Puka. Gjykata e këtij qyteti e kishte dënuar këtë shtetas me 14 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “vrasjes“ dhe “armëmbajtjes pa leje“.

Në nëntor të 1998 ky shtetas gjatë ngushëllimit te një i afërm i tij për shkak të disa mosmarrëveshjeve të mëparshme ka qëlluar me armë zjarri shtetasin Zef Bala, duke i shkaktuar atij vdekjen. Menjëherë pas kryerjes së veprës penale, Tonin Vata është larguar nga vendi i ngjarjes. Po sot është ekstraduar nga Athina 50 vjecari nga Berati Riza Pleparaku.

Gjykata e Fierit në 1994 e kishte dënuar këtë shtetas me 25 vjet heqje lirie për veprën penale të vrasjes për motive të dobëta. Shtetasi i mësipërm për motive të dobëta ka vrarë me mjete të forta shtetasin Ali Hysa, duke i shkaktuar plagë e dhimbje të shumta. Pasi e ka vrarë është munduar t’i fshehë trupin.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›