E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohen nga Greqia dhe Italia dy persona, kërkoheshin për drogë e prostitucion

TIRANË - Dy shtetas shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, u ekstraduan sot nga shtetet fqinj, Greqi dhe Itali, nën akuzën e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, si dhe “trafikut dhe shfrytëzimit të prostitucionit, mbetur në tentativë”.

Në një njoftim zyrtar, Policia e Shtetit bën të ditur se, "Interpol Tirana ekstradoi sot nga Athina drejt vendit tonë 23- vjeçarin nga Durrësi, Ferit Turullai, i dënuar dy vjet më parë nga Gjykata e rrethit të Durrësit me 3 vjet e 4 muaj heqje lirie, për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
Referuar burimeve mësohet se arrestimi i këtij shtetasi u bë në nëntor të vitit të kaluar në shtetin fqinj, Greqi, pas një bashkëpunimi të Interpol Tiranës, me Interpol Athinën.

Po sot, Interpol Tirana ekstradoi nga Roma, Itali, drejt vendit tonë, 39-vjeçarin nga Mirdita, Luan Kola, i kërkuar nga drejtësia shqiptare për “trafik dhe shfrytëzim prostitucioni, të mbetur në tentativë”.

Nën këtë akuzë, në maj të vitit 2005, Gjykata e Apelit në Tiranë, e kishte dënuar 39-vjeçarin me 5 vjet heqje lirie. Gjatë viteve 2000- 2001, Kola, i arrestuar në shtetin fqinj, në korrik të vitit 2007, akuzohej se kishte mashtruar një shtetase në Kurbin dhe më pas, për qëllime përfitimi, e kishte detyruar të ushtronte prostitucion në Itali.

Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, dy të ekstraduarit iu dorëzuan përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku do të vuajnë dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›