Letër me mllef për vizat, tremb Ambasadën Britanike
TIRANE- Një letër që shprehte mospajtimin me veprimet e Ambasadës Britanike për mënyrën e dhënies së vizave prej saj vuri në alarm këtë të fundit, çka bëri që policia të mbërrinte pranë kësaj selie diplomatike për të sqaruar situatën. Tri ditë më parë, në sportelin e kësaj ambasade, mbërriti një zarf që nuk mbante autorësi të ndonjë njeriu, e cila sipas policisë nuk është cilësuar kërcënuese por se në të shprehej shqetësimi për mos dhënie të vizave prej kësaj ambasade.
Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë në kryeqytet, kur një person ende i panjohur nga policia ka lënë një zarf në sportelin e ambasadës. Punonjësit e personelit të kësaj të fundit, menjëherë pas marrjes së letrës dhe kontrollimit të përmbajtjes së saj, janë shqetësuar se mund t'iu ndodhte ndonjë problem edhe menjëherë kanë lajmëruar efektivët e policisë së kryeqytetit.
Në selinë e ambasadës kanë mbërritur edhe oficerë dhe hetues të Zyrës së Antiterrorit të Policisë së kryeqytetit për të vlerësuar dhe hetuar ngjarjen. Këtyre të fundit iu është dorëzuar letra që kishte mbërritur nga kush e di se kush, në sportelin e britanikëve.
Teksti i letrës është administruar nga policia në cilësinë e provës materiale ndërsa më pas ajo është dërguar për ekzaminim grafik në Institutin e Policisë Shkencore. Pas veprimeve në ambasadë, policia ka nisur verifikimet e zakonshme rutinë. Gjithsesi policia e kryeqytetit e ka vlerësuar si aspak serioz rastin, pavarësisht të nisjes së hetimeve për këtë rast.