Ekstradohen nga Londra dy të dënuar shqiptarë

Foto Ilustruese
TIRANE- Interpol Tirana ka finalizuar sot ekstradimin e dy shtetasve shqiptarë, nga Londra, të dënuar nga Gjykatat në Shqipëri me 20 dhe 23 vjet burg.
Dy shtetasit ishin shpallur në kërkim ndërkombëtare. Marash Gjeto Gjoka (Matusha), 50 vjeç, lindur në Velipojë, Shkodër, si dhe Lulzim Haxhi Hoxhaj, 46 vjeç, lindur në Fier.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë , kishte dënuar në vitin 2001, 50- vjeçarin Marash Gjoka, për kryerjen e veprës penale të Vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje. Gjoka ishte përfshirë në një konflikt në vitin 2009 me shtetasin Tonin Dashi, të cilin e ka qëlluar me pistoletë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Ndërkohë, shtetasi Lulzim Haxhi Hoxhaj, rezultonte i dënuar me 23 vjet heqje lirie për kryerjen e veprës penale të Vrasjes me dashje mbetur në tentativë dhe Armëmbajtjes pa leje, nga gjykata e Fierit. Ai është deklaruar fajtor, pasi në vitin 1997, pranë rafinerisë së naftës në Fier, ku ky shtetas ishte i punësuar si roje, pas një grindjeje me shtetasin Eduart Hoxha dhe dy të tjerë, ka qëlluar në drejtim të tyre duke shkaktuar vdekjen e shtetasit të mësipërm.
Arrestimi i tyre është bërë në vitin 2010 si rezultat i një bashkëpunimi mes Interpol Tirana dhe Interpol Londra. Të dy shtetasit me të mbërritur në aeroportin Nënë Tereza në Rinas, i janë dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.