E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi i opozitës ngjan me ndëshkimin e elitës shqiptare

08/03/2012  Presidenti i Albanian University, Astrit Veliaj, kundër deklaratave mbi arsimin privat

Në kohët më të vështira në plan global, kur e gjithë bota politike kërkon të stimulojë energjitë sipërmarrëse, kryetari socialist, Rama, godet pa ndjenjë përgjegjësie investimet miliona euroshe në arsimin shqiptar. Absurditeti dhe mungesa e profesionalizmit politik arrin kulmin kur për rikuperimin e arsimit publik sygjerohet të bëhet kurban arsimit privat. Sulmet e fundit, të Z. Rama ndaj universiteteve private janë në sinkron me strategjinë e tij disa vjeçare të provokimit të krizave, krijimit të panikut, dhe çekulibrimit të sistemit ekonomik, shoqëror dhe universitar shqiptar. Marrëzia në hapësirën publike duhet të ketë një kufi. Kërcënimi i sipërmarrjes dhe investimeve private, propozimet për trefishim të taksave për mbi 70 për qind të shqiptarëve, sikurse ndarja dhe polarizimi shoqëror, nuk janë zgjedhjet që ne presim nga kandidati për fronin kryeministror, por plagë të reja në procesin e zhvillimit kombëtar. I ashtuquajturi program opozitar ka filluar të ngjajë me një platformë ndëshkimi ndaj performancës së elitës shqiptare. Gjithkush mirëkupton etjen për pushtet të politikanit, por asnjë vend demokratik nuk mund të tolerojë egoizmin pa kufi që të shtyn të shkatërrosh sektorët e sukseshëm të ekonomisë dhe kompromentosh punën dhe arritjet e mundimshme të njerëzve të ndershëm në arsimin shqiptar. Politika ka rregulla dhe djegia e vendit për hir të marrjes së pushtetit nuk është alternative demokratike. Është koha kur shoqërija shqiptare si çdo shoqëri perëndimore, t’i vërë kufijtë arrogancës në politikë dhe të ndëshkojë çdo spekulator në tregun publik që cenon vlerat universale të punës, pronës, konkurrencës, sigurisë dhe mirëqenies sociale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›