E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çamët në qeveri, Greqia kërcënon Berishën: Po hedh në erë marrëdhëniet tona

Berisha me dy deputetët ePDIU-së, Tahiri dhe Idrizi

Qeveria greke sheh si cenim të marrëdhënieve me Shqipërisë pjesëmarrjen në qeveri të dy zv.ministrave të partisë çame PDIU. Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Gregori Delavekouras në konferencën për shtyp mbajtur, i pyetur mbi qëndrimin zyrtar për këtë çështje ka dhënë një përgjigje të tillë.

Delavekouras është shprehur se Greqia është e informuar në lidhje me angazhimin e dy zyrtarëve të PDIU-së në qeverinë shqiptare dhe se po i shikon me kujdes zhvillimet e brendshme në Shqipëri.

Qeveria shqiptare nëpërmjet Kryeministrit, Ministrit të Jashtëm dhe zyrtarëve të tjerë të shtetit kërkojnë forcimin e marrëdhënieve me Greqinë dhe integrimin e Shqipërisë. Kjo dëshirë është reciproke, dhe Greqia ka dëshmuar në praktikë gjatë viteve mbështetjen e saj për Shqipërinë, u shpreh zëdhënësi i ministrisë së Jashtme greke.

Megjithatë, është e njohur gjithashtu se pozicioni i partisë PDIU minon mundësinë për përmirësimin e mëtejshëm dhe forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe, ka nënvizuar Delavekouras.

Në këtë pikë ia ka shtuar se Greqia pret nga qeveria shqiptare angazhim konkret për përmirësimin e marrëdhënieve greko-shqiptare. Ne duam marrëdhënie të mira me Shqipërinë, por një parakusht për këtë është dëshira e ndërsjellë dhe zbatimi praktik i veprimeve që tregojnë respektin midis dy vendeve dhe rritjen e bashkëpunimit dypalësh. Deklarata e tij mbyllet me fjalinë se mbrojtja e të drejtave të pakicës kombëtare greke, e përcaktuar si një nga detyrimet për integrimin e Shqipërisë dhe zgjidhja e çështjeve në pritje, përbëjnë prioritet të lartë marrëdhënieve dypalëshe për Greqinë.

Vetëm një ditë më parë Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për emërimin e Adrian Tanos zv.ministër i Arsimit dhe Abaz Hados zv.ministër i Kulturës. Greqia është në pritje të zgjidhjes së çështjes së kufirit detar me Shqipërinë, pasi marrëveshja e miratuar në Kuvend është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. /Florenc Stafa/

*   *   *

Denis Dedej

Partia për Drejtësi dhe Unitet përçahet në momentin që zyrtarizohet marrëveshja e bashkëpunimit me Partinë Demokratike. Ditën e djeshme kryeministri Berisha ka vendosur që ti japë dy poste zëvendësministrash kandidatëve të propozuar nga partia çame. Por ky vendim duket se nuk është pritur mirë nga deputeti i kësaj partie, Dashamir Tahiri, i cili ka shprehur habinë për këto emërime, pasi sipas tij, është njohur për to nga televizionet. I kontaktuar nga gazeta Shekulli, deputeti i Qarkut të Vlorës ka deklaruar se emërimet në qeveri nuk janë konsultuar me degën e zonave të cilët ai përfaqëson. Sipas tij, emërimet janë kryer nga kryetari Shpëtim Idrizi pa u konsultuar me askënd.

Zyrtarizimi

Mesditën e djeshme, në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, në seksionin e vendimeve dhe projektligjeve të miratuara në mbledhje, u njoftua dhe për dy vendime të njëpasnjëshme që zyrtarizojnë marrëveshjen PD-PDIU. Bëhet fjalë për emërimin e dy përfaqësuesve politikë në nivelet e dyta të administratës. Me sa duket, pas disa takimesh dhe negociatash, shpeshherë ato janë bërë edhe publike, Sali Berisha dhe Shpëtim Idrizi kanë mundur që të bien dakord për të këmbyer dy votat në parlament me poste në nivel dytësor në qeveri. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr. 9000, datë 30.1.2003, Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, me propozimin e kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: Ardian Tano të emërohet zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës; Abaz Hado të emërohet zëvendësministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë., – thuhej dje në vendimet e miratuara nga qeveria që mbajnë firmën e kryeministrit. Ende nuk dihet se kush do të jenë postet politike të cilat do të drejtohet nga përfaqësues të partisë çame. Në ditët në vijim pritet të zbardhen dhe detajet e kësaj marrëveshje.

Përçarja

Nga ana tjetër, konkretizimi i kësaj marrëveshje duket se nuk është pritur mirë nga deputeti tjetër i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Dashamir Tahiri. Ai i ka konsideruar këto emërime nën siglën e PDIU-së si zgjedhjeve personale të kryetarit Shpëtim Idrizi dhe të cilat nuk janë konsultuar me të. Ai bëri me dije se së bashku më pjesën të madhe të anëtarëve të partisë nuk kishin dhe nuk kanë asnjë dijeni derisa sa panë në titra në TV emërimet e fundit të qeverisë. Në një njoftim të shpërndarë për mediat, nga adresa e tij elektronike, deputeti i Qarkut të Vlorës kundërshton paktin. Në mungesë të zgjedhjeve të partisë dhe rrjedhimisht të strukturave të saj, deklaroj që ky nuk është një vendim forumesh por një vendim personal i kryetarit. Jam tërësisht i indinjuar të marre vesh këtë lajm nga mediat, tërësisht i indinjuar që vendime të tilla kryen në kundërshtim të plotë me vullnetin vendimmarrës të PDIU,- deklaroi Dashamir Tahiri. Përmes këtij vendimi, sipas tij, nuk është marrë parasysh, Vlora, Saranda si qytete të një qarku që nxori deputetin e parë të PDIU. Gjithashtu ai theksoi se nuk është marrë parasysh në këto emërime as Fieri e Lushnja. Unë deputeti Dashamir Tahiri deklaroj publikisht që nuk bëhem pjesë e këtyre pazareve dhe distancohem nga këto veprime personale të cilitdo qofshin ato,- thuhet në njoftimin e nisur nga deputeti i PDIU-së.

Rusmali uron zgjedhjen e Tahirit në krye të PS-së Tiranës

Zgjedhja e Saimir Tahirit në krye të Partisë Socialiste, dega Tiranë është shndërruar në objekt batutash ndërmjet anëtarëve të Komisionit të Ligjeve. Për një moment, kryetari i këtij Komisioni, Rusmali ndërpreu mbledhjen për ti uruar kolegut të tij fitoren ndaj Ilir Zelës në garën për kreun e ri të PS për kryeqytetin. Komisioni e ndjen të nevojshme të ndërpresë mbledhjen dhe të urojë zotin Tahiri për zgjedhjen e tij kryetar i PS së Tiranës. Siç e kishin njoftuar paraprakisht ne si komision, ne e kishim njoftuar kundër se nuk donim të që na largohej zoti Tahiri dhe të shkëputej me detyrën tjetër. Dhe shpresoj që zoti Tahiri të gjejë kohë që të jetë gjithmonë në komision. Por gjithsesi i urojmë punë të mbarë dhe suksese,- tha Rusmali. Duke kujtuar dhe Aldo Bumçin, me humor, deputeti Fino deklaroi se tavolina e Komisionit të Ligjeve gjithmonë ka prodhuar kryetarë. Ai u bë ministër. Urojmë mos bëhet Ministër i Kulturës, por ndonjë ministër më i rëndësishëm,- tha Fatos Hoxha.

Gjykata Administrative, Rama: Sfida jonë e radhës

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje në mbledhjen e radhës të grupit parlamentar se sfida e radhës në parlament për opozitën do të jetë Gjykata Administrative. Kryesocialisti njoftoi se një grup pune ka gati propozime të cilat do të paraqiten gjatë shqyrtimit në komisionet parlamentare. Besoj që edhe për Gjykatën Administrative ne do të japim një kontribut po kaq të vyer sa çdhamë në procesin e mbyllur me sukses me Kodet dhe do të vazhdojmë të japim energjikisht kontributin tonë që statusi i kandidatit për Shqipërinë të mos kthehet në një fatalitet dhe në një tjetër rast të humbur këtë vit, tha Rama. Lideri i opozitës paralajmëroi që në ditët në vijim të zhvillohen dëgjesa publike me shoqërinë civile për të marrës prej tyre propozime për përmirësimin e mëtejshëm të draftit. Në fjalën e tij, kryetari i PS përsëriti angazhimin e PS për miratimin ligjeve me 3/5 për të ndihmuar sipas tij më mirë organizimin dhe funksionimin e shtetit ligjor

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›