E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk është normale që Presidenti të merret me politikë

08/03/2012  Kryetari i LZHK-së hedh poshtë zërat për një bashkim me Partinë e Topit

Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, përjashton çdo mundësi për një bashkim me partinë e lajmëruar nga Presidenti i Republikës Bamit Topi, por lë të hapur bashkëpunimin mes presidentit dhe Partisë Demokratike. Gjatë një prononcimi për mediet Shehi komentoi vendimin e kreut të shtetit për të vijuar jetën politike duke krijuar një parti të tijën pas përfundimit të mandatit si president, duke e vlerësuar këtë si një praktikë të keqe që aplikohet prej vitesh në politikën shqiptare. “Jo, ne do të mbajmë qëndrimin tonë si LZHK. Mirë, keq, ne kemi bërë një investim politik. Ne nuk jemi gjë e re, jemi një gjë e konfirmuar, për aq sa mundësi kemi dhe kësaj linje do t’i mbahemi. Unë i uroj punë të mbarë çdokujt që merret me politikë, por ne nuk do të bëjmë lëvizje të tilla, pasi nuk ka kuptim. Kaq vjet në politikë nuk do të ishte normale që të nisnim gjërat nga e para”, - tha kreu i LZHK-së mbi mundësinë e shkrirjes në të ardhmen të partisë së tij me atë të Topit. Referuar praktikës së disa politikanëve në vendin tonë, që pas postit të Presidentit i kthehen politikës, Shehi, si një politikan me përvojë, përmend shembullin e presidentëve në SHBA-të si shumë domethënës për mbylljen e karrierës së një presidenti. “Normale do të ishte që presidenti të mos merrej më me politikë. Siç ndodh edhe në SHBA, ku presidenti mbyll karrierën në Presidencë dhe merret më pas me ndonjë fondacion. Fatkeqësisht, Shqipëria ka një eksperiencë të keqe në këtë drejtim. Shpresoj që ky që do të vijë pas Topit ta mbyllë si president karrierën e tij. Kjo do t’i jepte edhe institucionit një tjetër dinjitet, pasi nuk do ta konsideronte si një fazë tranzitore në jetën politike të personazhit, por si fazë kulmore. Largohesh me një kujtesë politike të mirë”, - deklaroi Shehi për këtë çështje. Në fakt, përveç ish-presidentit Alfred Moisiu, Kryeministri Sali Berisha iu kthye drejtimit të PD-së pasi la postin e Presidentit, ndërsa ish-presidenti Rexhep Meidani kandidoi për drejtimin e Partisë Socialiste pasi mbylli karrierën si kryetar shteti. Ndërkohë që Shehi nuk përcakton afate kohore lidhur me mundësinë e krijimit të koalicioneve partiake me PD-në apo me ndonjë parti tjetër të së djathtës politike. Ai deklaron se deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare është ende herët për të folur.

Koalicionet

Kreu i LZHK-së lë të hapur bashkëpunimin e partisë së tij me PD-në. “Do të rrjedhë ujë goxha nga këtu deri në zgjedhjet. Kemi mundësi t’i rishohim idetë, platformën me të cilën do të bashkëpunohet. Nuk paragjykoj absolutisht asgjë, aq më tepër që unë dhe njerëzit që janë përqark LZHK-së kemi qenë njerëz tradicional të qendrës së djathtë”, - tha ai.

Pritja e Ndokës

PDK do të përcaktojë se cilit koalicion do t’i përkasin vetëm pas miratimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. “Jemi ende në pritje të partisë politike nga Presidenti i Republikës apo nga Aleanca Kuqezi, që do të jenë zhvillime mjaft interesante, çka do ta bëjnë politikën shqiptare të larmishme. Nuk përjashtohet asnjë lloj aleance”, - deklaroi Ndoka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›