Ekstradohet 31-vjeçari nga Italia, kërkohej për kultivim kanabisi

Një 31-vjeçar është ekstraduar nga Italia drejt vendit tonë pasi kërkohej për kultivimin e rreth 1 mijë bimëve kanabis. Pas bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe atij të Romës është bërë i mundur kapja e të shumëkërkuarit për kultivim droge.
“Në kuadër të bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar që fshihen në këto dy vende dhe ekstradimin e tyre në vendin ku ata kanë kryer veprën/veprat penale, është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë, shtetasi Gj. K., 31 vjeç, banues në Shkodër”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Sipas policisë, mësohet se në vitin 2016 në bashkëpunim me persona të tjera ka kultivuar në territorin e fshatit Pult, Shkodër rreth 1100 bimë narkotike kanabis, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar nga Policia.
“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër i ka caktuar 31-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Shtetasi Gj. K. dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në vitin 2016 ka kultivuar në territorin e fshatit Pult, Shkodër, rreth 1100 bimë narkotike kanabis, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar nga Policia, gjatë kontrollit të territorit të këtij fshati”, përfundon njoftimin e saj Policia e Shtetit.
/rtsh.al/