Kryeministri hungarez: Aprovimi i mundshëm i anëtarësimit Suedi-Finlandë në NATO, në fillim të marsit

Parlamenti i Hungarisë mund të ratifikojë anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO në fillim të muajit të ardhshëm, pra në mars.
Finlanda dhe Suedia aplikuan për t’u anëtarësuar në NATO pasi Rusia pushtoi Ukrainën dhe thonë se duan të shkojnë “dor për dore”. Edhe pse shumica e vendeve anëtare të Paktit kanë dhënë tashmë miratimin e tyre, Turqia dhe Hungaria ende nuk e kanë ratifikuar këtë proces.
Kryeministri hungarez, Viktor Orbán tha 4 muaj më parë se qeveria e tij kishte vendosur tashmë të mbështeste kërkesën e dy vendeve. Qeveria paraqiti projektligjin përkatës në korrik, por Parlamenti, ku partia qeverisëse e Orbanit Fidesz ka një shumicë të madhe, nuk e ka sjellë ende për diskutim dhe miratim.
Lidhur me luftën Ukrainë-Rusi, Orban ka deklaruar se është “jetike” që Hungaria të mbetej anëtare e NATO-s, por qeveria e tij nuk do të dërgonte armë në Ukrainë dhe se nuk do të ndërpresë lidhjet e saj ekonomike me Moskën, duke nënkuptuar mosndërhyrjen në konflikt.
/rtsh.al/