Ahmet Prençi, avokati që drejtoi policinë shqiptare
Ahmet Prençi mbante detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që më 30 mars të vitit 2007, me vendim të Këshillit të Ministrave. Para se të emërohej, ai ishte drejtor i Policisë së Shkodrës dhe kishte dy vite që mbante këtë detyrë. Ahmet Prençi ka lindur në Dibër, më 25 prill 1968. Ai është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, si dhe në Fakultetin e Ekonomisë pranë UB-së Tiranë. Në vitin 2006 ka mbrojtur titullin "Avokat". Ka ndjekur kursin e plotë të formimit pranë Akademisë së Policisë "Arben Zylyftari" Tiranë, si dhe kursin e plotë të "Drejtimit dhe menaxhimit të lartë të Policisë" organizuar nga Misioni PAMECA. Gjatë ecurisë në karrierë ka kryer kurse të tjera kualifikimi e specializimi të organizuara nga Misionet ICITAP, PAMECA etj., si brenda vendit, ashtu dhe në SHBA, Norvegji, Austri etj. Nga viti 1992 ka punuar me profesionalizëm e përgjegjësi në fushën e hetimit të krimit si në strukturat e Policisë së Shtetit ashtu dhe në strukturat e Prokurorisë, ku ka fituar një eksperiencë të pasur veçanërisht në goditjen e krimeve kundër personit e pronës dhe krimit ekonomik e financiar. Pas një periudhe njëvjeçare si hetues në Hetuesinë e Rrethit Krujë, emërohet zëvendësshef i Policisë Hetimore pranë Komisariatit të Policisë nr.4 në Tiranë, ku falë përvojës së fituar përmbushi me cilësi detyra të rëndësishme në goditjen e krimit. Për treguesit e lartë e përkushtim profesional në vitin 1993 "ngjit" shkallët e karrierës, duke u emëruar Inspektor pranë Drejtorisë së Policisë Hetimore në Ministrinë e Rendit Publik, ku jep kontribut vizional në riorganizimin dhe rikonceptimin e punës për hetimin e krimit në strukturat e Policisë së Shtetit. Gjatë viteve 1995 - 2000 ka punuar si Oficer i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë në Rrethet Tiranë dhe Mat, ku spikat profesionalizmi në veprimet hetimore në zbulimin dhe sigurimin e provave kundrejt autorëve dhe veprimtarisë së tyre kriminale. Në vitin 2001 emërohet specialist në Zyrën Rajonale të Luftës kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe lufta pa kompromis në goditjen e krimit ekonomik e financiar i hap udhë emërimit të tij si specialist pranë Sektorit të Luftës kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë Qendrore të Policisë Kriminale në Ministrinë e Rendit Publik. I prirur për përballje konkrete në luftë kundër krimit të çdo lloj forme që shfaqet, në vitet 2002-2004 emërohet shef i Policisë Kriminale në Drejtoritë e Policisë Gjirokastër e më tej në Qarkun e Tiranës. Edhe në këto poste të rëndësishme, del në pah profesionalizmi dhe eksperienca disa vjeçare, devocioni dhe kontributi i çmuar në parandalimin dhe goditjen e krimit, jo vetëm të ditës, por edhe në zbardhjen e vënien para drejtësisë të autorëve të krimeve të vjetra, kryesisht vrasje, të pazbardhura ndër vite. Rezultatet konkrete të punës vlerësohen me emërimin e tij në vitin 2004 në detyrën shef i Sektorit të Luftës Kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pronës pranë Drejtorisë së Luftës kundër Akteve Terroriste dhe Krimeve të Hapura në Ministrinë e Rendit Publik, ku dallohet për nivel të lartë drejtimi dhe menaxhimi me sukses të situatave të ndërlikuara.