Pas 25 vjetësh në polici, emërohet në krye të saj
Hysni Burgaj është një ndër oficerët e karrierës në polici, që ka filluar profesionin e tij që në vitin 1984 dhe nuk është shkëputur asnjëherë. Hysni Burgaj ka lindur në vitin 1960 në Shkodër. Ai ka përfunduar studimet në shkollën e Ministrisë së Brendshme, në vitet 1981-1984. Ndërkaq, ai ka përfunduar edhe kursin e plotë të "Drejtimit dhe menaxhimit të lartë të Policisë" organizuar nga Misioni PAMECA në vitin 2007. Gjatë ecurisë në karrierë ka kryer një sërë trajnimesh dhe specializimesh si brenda dhe jashtë vendit nga organizata dhe organizma që asistojnë policinë shqiptare, si MAPE, PAMECA, etj., në vende të ndryshme të Europës dhe në SHBA. Gjithashtu, ka një karrierë të gjatë policore. Nga viti 1984, kur ka mbaruar studimet ka punuar në struktura të ndryshme të Policisë së Shtetit. Në sajë të ecurisë së tij në karrierë ka fituar një përvojë të çmuar jo vetëm policore, por dhe menaxhuese dhe drejtuese. Në vitin 2005, kur ai ishte shef i postës së policisë në Qytetin Studenti, pavarësisht gradës së lartë që kishte, nisur nga përvoja dhe rezultatet e larta në detyrë, i ka ardhur edhe emërimi i karrierës. Ai është emëruar dhe ka punuar si drejtor në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Kukës që nga dhjetori i vitit 2005 deri në dhjetor të vitit 2007. Më pas, ai u emërua drejtor në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, detyrë që e mbajti deri në korrik 2008. Prej më shumë se një viti është emëruar në detyrën e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për Shërbimet Mbështetëse. Me vendim të Këshillit të Ministrave të datës 28.10.2009 u emërua drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.