E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohet i dënuari me 15 vite burg për vrasje

TIRANË- Ekstradohet i shumë kërkuari prej më shumë se tetë vitesh, i shpallur në kërkim ndërkomabëtar për akuzën e vrasjes me dashje dhe i dënuar nga drejtësia shqiptare me 15 vjet heqje lirie.


Engjëll Zeqo, 44 vjeç nga qyteti i Fierit është sjellë me pranga në duar dje rreth orës 13 e 50 minuta në Aeroportin "Nënë Tereza", i ekstraduar nga Turqia, pas bashkëpunimit të Interpol Tiranës dhe Interpol Ankarasë.


Gjykata e Fierit e ka dënuar Zeqon me 15 vite burg me një vendim të 30 tetorit 2002 për veprat penale të vrasjes me dashje dhe armëmbajtjes pa leje. Engjëll Zeqo, akuzohet për vrasjen e Fatos Kalemit, vrasje kjo e ndodhur tetë vite më parë në qytetin e Fierit.


Pas kryerjes së krimit, Zeqo ka mundur që të largohet nga Shqipëria duke qëndruar në arrati prej gati shatë vitesh në shtetin turk. Ky i fundit ishte arrestuar për llogari të autoriteteve shqiptare që në nëntor të vitit të kaluar dhe pas përfundimit të procedurave të ekstradimit, 44 vjeçari është sjellë përfundimisht në Shqipëri për të vuajtur dënimin që ka marrë.


Arrestohen tre të rinj, vidhnin banesa dhe dyqane


TIRANË- Arrestohen tre të rinj të akuzuar për vjedhje të banesave, bizneseve dhe qytetarëve, të kryera në bashkëpunim me njëri tjetrin, ku njëri prej tyre sipas të dhënave të policisë ishte pjesë e një grupi që realizonte vjedhje me dhunë. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së kryeqytetit efektivat e Komisariatit nr. 5 kanë arrestuar 23 vjeçarin Viktor Vezi, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë.


Ky i fundit dyshohet se në bashkëpunim me dy adoleshentë të tjerë që tashmë janë të arrestuar të njohur me emrat Shaban Myftari 19 vjeç dhe E. GJ, 17 vjeç kanë realizuar disa vjedhje me dhunë në zona të ndryshme të kryeqytetit.


Burimet e policisë pohuan dje se ndaj grupit të të rinjve që kanë përfunduar në prangat e policisë janë dokumentuar një sërë vjedhjesh të realizuara në kohë të ndryshme, të përfshira në vjedhje banesash, biznesesh dhe qytetarësh në rrugë, vjedhje të realizuara me dhunë.


Më 18 gusht të këtij viti tre të rinjtë dyshohet se në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë vjedhur automjetin tip "Ford Fiesta" me targa TR 1197 N, në rrugën "Selaudin Zorba" dhe po këtë ditë kanë vjedhur me dhunë një bashkëmoshatarin e tyre duke i marrë një sasi lekesh dhe telefonin celular, si dhe disa raste tw tjera.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›